OPEK-u akuzon SHBA-të për çmimin e lartë të naftës
Organizata e vendeve eksportuese të naftës “OPEK” ka akuzuar SHBA-të për keqmenaxhim të ekonomisë dhe ka influencuar në rritjen rekord të çmimit të naftës. Përfaqësuesit e OPEK-ut kanë refuzuar ta rrisin prodhimtarinë e naftës për të zbutur trysninë e çmimit. Situata në tregun energjetik, sipas OPEK-ut, është faj i administratës së presidentit amerikan Xhorxh Bush. Çmimi i naftës kaloi nivelin prej 104 dollarësh për një fuçi pas vendimit të OPEK-ut dhe raportit të qeverisë amerikane, të cilat tregojnë rënie befasuese të rezervave deri para pak kohësh. Shtëpia e Bardhë lajmëroi se presidenti Bush është dëshpëruar që OPEK-u nuk ka bërë më shumë për frenimin e çmimit të naftës, i cili sipas disa ekspertëve e shtynë ekonominë e SHBA-ve në recesion.
Përpjekje për kapërcimin e ndarjes së Qipros
Presidenti i ri qipriot, Dimitris Kristofias, do të takojë në mesin e muajit mars udhëheqësin turkoqipriot, Mehmet Ali Talat, për të iniciuar kapërcimin e ndarjes së vendit. Takimi do të zhvillohet nga data 17 deri 24 mars, tha Kristofias gjatë një vizite në Athinë. Mund të arrihet marrëveshje edhe për hapjen e kalimeve të reja kufitare. Ishulli i Mesdheut është i ndarë nga një grushti shteti i nacionalistëve grekoqipriotë dhe intervenimit ushtarak turk, që pasoi në vitin 1974. Nga ana e së drejtës ndërkombëtare i gjithë ishulli që prej vitit 2004 është anëtar i BE-së, por kjo nuk gjen zbatim në pjesën veriore të pushtuar nga turqit.
“Gazprom”-i furnizon përsëri Ukrainën me gaz
Rusia dhe Ukraina e kapërcyen mosmarrëveshjen për furnizimin me gaz. Kompania ruse shtetërore “Gazprom” furnizon përsëri Ukrainën me gaz, u bë e ditur njëkohësisht si nga Moska ashtu edhe nga Kievi. Është rënë dakord që të shlyhen borxhet e Ukrainës ndaj Gazpromit. Rusia kishte dyfishuar eksportin e gazit në Ukrainë, për të grumbulluar borxhin prej rreth 400 milionë eurosh.
7 Mars 2008