E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët me vija të Vlorës,

MJEDISI/ Disa ditë më parë, gazeta "Shekulli" ngriti problemin e mosmbylljes se rrugëve pas çarjes

20 milionë gjobë firmës zbatuese
VLORË - Pas ngritjes së problemit disa ditë më parë nga gazeta "Shekulli" për rrugët e vijëzuara të Vlorës, Agjencia Rajonale e Mjedisit të qarkut Vlorë ka vendosur të thyejë heshjen për punimet. 20 milionë lekë të vjetër ka qenë masa e gjobës që ka aplikuar kjo agjenci ndaj firmës "Alb Star", e cila po zbaton punimet për projektin e ri të ujësjellësit. Shefi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit të qarkut të Vlorës, Niko Dumani, shpjegon se kjo firmë nuk ishte pajisur me lejet e shfrytëzimit mjedisor, çka është e domosdoshme para kryerjes së një aktiviteti.

Sipas Dumanit, para projekteve të tilla, ka diskutime me grupet përfituese, me aktorët mjedisorë për t'u shpjeguar ndikimet që mund të ketë zbatimi i projektit, procedurat që janë shkelur. "Disa herë është kontaktuar me firmën që zbaton punimet për lejen mjedisore, por ajo nuk është përgjigjur.

Duke marrë parasysh se ka pasur ankesa nga shumë qytetarë për ndotjen që u shkaktohej apo edhe mënyrën e punimeve, ne inspektuam gjendjen e tyre. Pas kësaj, duke vlerësuar se mungonte edhe leja e shfrytëzimit mjedisor, ne aplikuam gjobën me një vlerë prej 2 milionë lekë të rinj",- u shpreh Dumani.

Këto ditë punimet e firmës zbatuese "Alb Star" për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit janë përqendruar përgjatë rrugëve kryesore, të cilat janë çarë në gjithë gjatësinë e tyre. Para kësaj punimet janë mbyllur në lagjet "Kushtrim", pranë plazhit të vjetër, apo në hyrje të qytetit. Vetëm disa ditë më parë, problemi i çarjes së rrugëve në gjatësinë e tyre në Vlorë dhe mosrregullimi i tyre më pas u trajtua në gazetën "Shekulli", çka duket se ka vënë në lëvizje edhe strukturat përkatëse për të marrë masa.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›