Indrit Taullaj në gjyq për trafikimin e të dashurës së rivalit
Pas vrasjes së Marsel Sotirit, dyshohet se e dashura u trafikua dhe u shfrytëzua nga Taullaj në Itali për prostitucion
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pranon shqyrtimin e dosjes penale ndaj të pandehurit Indrit Taullai, me akuzën e "shfrytëzim prostitucionit në rrethane rënduese", ndaj ish-të dashurës së Marsel Sotirit, V.J nga Durrësi. Kjo e fundit, tashmë fituar statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë, në procesin gjyqësor ku gjykohen 16 të pandehurit e "bandës së Durrësit". Dosja është pranuar për shqyrtim, ndërsa ajo ka mbërritur nga Gjykata e Durrësit, e cila për shkak të mos kompetencës së gjykimit të kësaj vepre penale, ka kryer delegimin e dosjes penale pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kancelaria e këtij organi gjyqësor, paraditen e së premtes e ka hedhur në short elektronik, duke caktuar pesëshen gjykuese, që pritet ta shqyrtojë këtë dosje, ndërsa trupi gjykues do të kryesohet nga Liljana Baku. Sipas hetimit të kryer nga prokuroria e Durrësit, denoncuesja V.J, para trafikimit të saj në Itali dyshohet se është mbajtur peng për 18 muaj në një banesë në qytetin bregdetar të Durrësit, nga të pandehurit Indrit Taullai e Endrit Dokle. Kjo ngjarje ka ndodhur menjëherë pas arrestimit të Klodian Saliut në vitin 2000, në cilësinë e personit të dyshuar për vrasjen e Marsel Sotirit e Dritan Dishës. Arsyeja e mbajtjes peng të saj për 18 muaj, sipas akuzës, ka qenë shmangia e dëshmisë së saj para prokurorisë së Durrësit për autorët e vrasjes së Marsel Sotirit e Dritan Dishës, duke qenë se sipas akuzës, vajza e dinte. Për këtë pengmarrje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzat konkrete ndaj dy të pandehurve të "bandës" së Durrësit, Taullai e Dokle të cilët po gjykohen për këtë rast. Vajza e mbajtur peng në atë kohë, është marrë nën mbrojtje nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë, deri në rrëfimin e saj para togave të zeza për vrasjen e ish- të dashurit Marsel Sotiri, dhe Dritan Dishës. Po kështu ajo duhet të dëshmojë edhe në lidhje me rrëmbimin ndaj saj për të cilin akuzohet Taullaj. Sipas kërkesës për gjykim, ndaj të pandehurit, rëndon akuza e "shfrytëzim për prostitucion në rrethane rënduese, ndaj një personi që shtyhet ose shtrëngohet të ushtrojë prostitucion jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë". Ky veprim, sipas akuzës, është kryer ndaj V.J-së, banore e qytetit të Durrësit. Kjo e fundit, pas mbajtjes peng të saj për 18 muaj, është detyruar nga i pandehuri Taullai që të shkonte në Itali, ku është shfrytëzuar për prostitucion për një kohë të gjatë, deri sa autoritetet italiane e kanë arrestuar vajzën dhe riatdhesuar në Shqipëri. Pas riatdhesimit, gjatë marrjes së saj në pyetje, ka pranuar të bashkëpunonte me organin e akuzës, kundrejt sigurisë së jetës së saj dhe pjesëtarëve të familjes, që tashmë janë marrë në ruajtje. Sipas dëshmisë së vajzës, ajo është dërguar me traget nga Durrësit në Itali, ku nën presionin e Taullait dhe dhunën e ushtruar ndaj saj është detyruar të shesë trupin në rrugët e qyteteve të ndryshme të Italisë. Sipas rrëfimit të saj, nga kjo "punë" e saj shpërblehej i pandehuri që ndodhet prapa hekurave të burgut "Jordan Misja" në kryeqytet. Arrestimi i Taullait erdhi më 29 korrik 2007 nga forcat speciale të RENEA-së, në një banesë në rrugën "Sulejman Pasha", e marrë me qira që nga viti 2003 nga Fiorentina Kotorri, e dyshuar si ish-e dashura e Lulëzim Berishës. Në momentin arrestimit të Taullait policia ka sekuestruar një pistoletë dhe një pasaportë shqiptare me emrin fals Benjamin Sylaj