E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden bashkëshortët, burrin e kthen policia në shtëpi

SHERRI/ Pas grindjes me bashkëshorten, Adrian Banushi është larguar nga shtëpia duke u dyshuar si i zhdukur


Korçë- Një grindje për shkaqe xhelozie ka çuar edhe në një situatë jo të zakontë mes një çifti të ri në qytetin e Korçës.

Pas një zënke mes tyre, policisë i është dashur të shpallë në kërkim bashkëshortin 33-vjeçar dhe më pas ta detyrojë atë të rikthehet në shtëpi, pas mungesës prej thuajse një jave, për t'u ripajtuar më pas me të shoqen, duke kërkuar falje për problemet përkatëse.


Burime nga policia bëjnë të ditur se historia ka si protagonist shtetasin Adrian Banushi, baba i dy fëmijëve dhe banor i lagjes 14 në Korçë.


Sherret mes tij dhe të shoqes kanë qenë të shumta, dhe duket se shkak për to kanë qenë xhelozia e tepërt dhe e pajustifikuar e bashkëshortit. Rreth një javë më parë, pas një tjetër sherri, që duket se ka arritur kulmet e veta, gruaja i ka kërkuar që të largohet nga shtëpia, duke i mbyllur derën.

Dhe fjala nuk është bërë dysh. 33-vjeçari është larguar në drejtim të paditur nga familja e tij, duke krijuar ankthin e zhdukjes. Telefoni i fikur dhe moskontakti përgjatë disa ditëve, ka bërë që e shoqja, e shqetësuar për ndonjë tentativë vetëvrasjeje (numri i të cilavë është shtuar kohët e fundit), t'i drejtohet policisë duke denoncuar zhdukjen e bashkëshortit.


Pas marrjes së denoncimit, policia e Korçës ka nisur hetimet për vendndodhjen e mundshme të 33-vjeçarit. Pas disa ditësh është arritur të mësohet se Adrian Banushi, pas zënkës me të shoqen, i ishte drejtuar kryeqytetit dhe kishte qëndruar tek disa të afërm të tij. Pas kësaj, nga ana e policisë ai është shoqëruar për në shtëpinë e vet në Korçë. Babai i dy fëmijëve mësohet se i ka kërkuar ndjesë të shoqes për skenat e xhelozisë duke premtuar edhe mospërsëritjen e tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›