Kthimi i pronave, njësitë vendore pengojnë
Shkodër
SHKODËR - Disa njësi të qeverisjes vendore po bëhen pengesë për ecurinë normale të procesit të kthimit të pronave, duke ndikuar në moszbatimin e afatit që agjencia rajonale në Shkodër e ka të parashikuar me ligj për t'u kthyer përgjigje aplikuesve.
Këtë e pohon drejtori i AKP-së në Shkodër, Besnik Kastrati, i cili thekson se aktualisht janë 1300 kërkesa të paraqitura pranë kësaj agjencie, dosjet e të cilave janë në proces shqyrtimi dhe presin përgjigje. Sipas Kastratit, ky fluks kërkesash ka ardhur në fund të vitit të kaluar kur mbaronte dhe afati ligjor i depozitimit të dosjeve pranë agjencive përkatëse dhe, sipas ligjit, aplikuesve duhet t'u kthehet përgjigje brenda tre muajve.
Por duke pasur një personel të kufizuar prej vetëm 8 personash dhe duke qenë se disa njësi të qeverisjes vendore, kryesisht komuna në Malësinë e Madhe, Pukë e Shkodër, nuk zbatojnë VKM nr 52 të datës 7.2.2007, për kthim të një përgjigjeje brenda 10 ditësh, ky proces zgjatet dhe nuk mund t'u jepet një përgjigje e plotë aplikuesve brenda tre muajve. "Është e domosdoshme që njësitë e qeverisjes vendore të kryejnë detyrimin e tyre ligjor, sipas ligjit përkatës, dhe kështu procesi i studimit dhe verifikimit të dosjeve për kthim e kompensim pronash në qarkun e Shkodrës të vazhdojë në rrjedhën e tij normale",- thekson Kastrati. Ai shton se pas 31- dhjetorit 2008, aplikimi dhe pranimi i kërkesave për kthim e kompensim pronash, për shqyrtim prej kësaj agjencie bëhen vetëm me vendim gjykate me objekt rivendosjen në afat të kërkesës. A.Dushi