Policia, kapet kokainë në kombinat
TIRANE- Kapet kokainë në kombinat, blutë e komisariatit nr.6 dhe antidroga arrestojnë 27- vjeçarin të dyshuar si pronar i mallit ndërsa i bllokohet një autoveturë. Armand Cërriku , 27 vjeç, banues në kryeqytet, është bllokuar dhe më pas arrestuar nga patrullat e përgjithshme të komisariatit të Kombinatit, pasi gjatë kontrollit të kryer në automjetin e tij i është gjetur një sasi kokaine në mjet. Lajmi është bërë i ditur për mediat nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës të cilët pohuan gjatë kontrollit të kryer në mjetin e Cërrikut, zbuluan një sasi pluhuri të bardhë e dyshuar si kokainë. Pas zbulimit të kryer nga efektivët e policisë së Kombinatit, hetimi është vijuar nga oficerët e zyrës së antidrogës së kryeqytetit. Këta të fundit kanë, marrë në pyetje paraprakisht Cërrikun në ambientet e komisariatit të Policisë nr.6, ku i arrestuari ka pretenduar se nuk kishte mall me vete. Ndërkaq hetuesit e antidrogës kanë administruar një deklarim të dy punonjësve të patrullës që kishin kapur sasinë e kokainës me vlerë rreth 40 mijë lekë të reja. Ata kanë rrëfyer ndalimin e Cërrikut, ndërsa policia ka vijuar më tej hetimet. I arrestuari mësohet se sasinë e mësipërme e kishte marrë me qëllim për ta shpërndarë dhe shitur tek disa klientë në këtë zonë, ndërsa ishte ndaluar nga patrullat. Policia ka shoqëruar në ambientet e saj edhe një person të dyshuar se mund të ishte blerësi. Blutë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasinë prej 4 gr pluhur e dyshuar si lëndë narkotike kokainë si dhe një automjet të markës "Pezho" me targa italiane. Pas ndalimit të tij, hetuesit e zyrës së Antidrogës së Policisë së Tiranës, kanë nisur verifikimet për zbulimin e për gjetjen e furnizuesve të mundshëm dhe bashkëpunëtorëve të të arrestuarit, 27 vjeçarit Armand Cërriku.