Hetim italianit për trafikim automjetesh
Françesko Dadi, akuzohet se në vitin 2007 trafikoi në drejtim të Shqipërisë një automjet luksoz
TIRANE- Nis hetimi i drejtësisë shqiptare ndaj një italiani të zbuluar se ka sjellë një automjet "BMW" X3 të vjedhur në Itali. Françesko Dadi, është identifikuar nga policia shqiptare, si autor i transportimit të një automjeti luksoz, BMW X3 me targa DH 975 ES, i cili është sekuestruar dy ditë më parë nga policia e kryeqytetit. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, automjeti i shtrenjtë i është bllokuar të premten një 26- vjeçari nga Fieri me banim në Tiranë ndërsa ai udhëtonte me të në kryeqytet. Burimet kanë pohuar se mjeti është zbuluar nga efektivët e policisë së drejtorisë së Tiranës, që e kishin atë në listat e mjeteve të vjedhura jashtë vendit. Ai është ndaluar nga efektivët e policisë rrugore për një verifikim, ndërsa kanë dyshuar se mjeti të qe i vjedhur, ndonëse pronari i mjetit, 26 -vjeçari A.G, ka pretenduar se mjeti nuk ishte i vjedhur duke qenë se ia kishte blerë një italiani në Shqipëri. Menjëherë pas verifikimit të kryer, blutë kanë mësuar se numri i shasisë së mjetit që kishin para tyre i korrespondonte një automjeti të të njëjtës markë që ishte vjedhur në Itali. Nuk është dashur shumë kohë që në vend të mbërrinin efektivët e zyrës së Antitrafikut të policisë së Tiranës, të cilët kanë urdhëruar menjëherë bllokimin e mjetit. Në ambientet e drejtorisë së Tiranës, ku edhe është kryer krahasimi i mjetit me të dhënat që posedonte policia, të cilat kanë rezultuar të njëjta. Pas kësaj procedure, policia i ka vënë sekuestron mbi mjetin luksoz të trafikuar nga Italia. Nga verifikimi i kryer nga oficerët e zyrës së Antitrafikut, është mësuar se personi që kishte futur këtë automjet në Shqipëri nga vendi fqinj, ishte italiani Françesko Dadi në muajin gusht të vitit 2007. Ndaj tij, autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të mjeteve motorike. Mjeti sipas hetuesve mund të ketë mbërritur në fillim në Shqipëri nga Italia dhe më pas të jetë denoncuar në Itali si i vjedhur.