E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët përgjaken sërish, 5 të vdekur

 

KAVAJE/ FIER

Pesë të vdekur në rrugë. Bilancet e tragjedive në aksidente sa vijnë e bëhen më të rënda, në këto ditë kulmore të sezonit veror dhe kur akset janë të mbipopulluara nga mjetet. Tre persona vdiqën nga përplasja e një boti uji me një autoveturë në rrugën nacionale Durrës-Kavajë mesditën e djeshme, ndërsa babë e bir disa orë më parë ndërruan jetë në një aksident në Fier-Seman.
Aksidenti në Kavajë
Rreth orës 13:30 të ditës së djeshme ndodhi përplasja fatale, disa km larg Kavajës, ku humbën jetën menjëherë 3 vetë. Viktimat, bashkë me një të katërt që mbeti i plagosur, po udhëtonin në një makinë tip "Wolksvagen", me targa greke. Dyshohet se në tentativë parakalimi, mjetet janë përplasur me njëra tjetrën dhe shpejtësia e madhe ka bërë që goditja të jetë e fuqishme. Vetura është shkatërruar plotësisht, ndërsa nga frenimi i fortë, autoboti ka përfunduar në anë të rrugës. Menjëherë është dhënë alarmi dhe forca të shumta të policisë janë mbledhur rreth vendngjarjes. Të katërt udhëtarët janë nxjerrë me vështirësi nga mjeti, për shkak të deformimit total të tij. Tre prej tyre, sipas mjekëve kishin ndërruar jetë në vend, ndërsa vetëm i katërti arriti të mbijetonte. Ky i fundit, i identifikuar më pas si Fatmir Alliu, nga Librazhdi, ka bërë dhe identifikimin e viktimave. Ata janë Çelik Dashi, 31 vjeç, Fatjona Alliu 27 vjeçe, ndërsa mbetet e paidentifikuar një grua e moshës rreth 50 vjeçe, e cila ishte pasagjere në makinën me targa të huaja. Policia ka shoqëruar drejtuesin e autobotit për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Në ato momente, ai po bënte furnizimin me ujë të lokaleve përgjatë bregdetit. Si pasojë e aksidentit fatal, rruga nacionale që lidh Durrësin me Kavajën krijoi probleme në qarkullim për rreth 2 orë.
Aksidenti në Fier
Babë e bir kanë gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti që ndodhi mbrëmjen e së martës, në aksin rrugor Fier-Seman, në afërsi të vendit të quajtur Qënas. Xhevat Arapi, 48 vjeç dhe djali i tij Ilir Arapi, 23 vjeç, i cili drejtonte automjetin kanë humbur jetën, pasi një person me biçikletë u ka prerë rrugën. Për shkak edhe të mungesës së ndriçimit dhe sinjalistikës rrugore, drejtuesi ka tentuar të manovrojë, por automjeti i tij, tip "Benz" me targa të Fierit 7239 C ka dalë jashtë kontrollit, duke bërë që pas përplasjes me pjesët gurore të rrugës së Semanit, ai së bashku më te birin të përfundojnë në kanal. Babë e bir kanë gjetur vdekjen gjatë transportimit për në Spitalin Rajonal të Qarkut të Fierit. Nga ky aksident ka mbetur i plagosur edhe drejtuesi i biçikletës, i cili sipas policisë ka marrë plagë në trup, por gjithsesi është jashtë rrezikut për jetën. Uniformat blu të qarkullimit rrugor të Fierit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa sipas burimeve nga kjo drejtori për rastin në fjalë kanë nisur edhe hetimet. Sipas tyre, pista e hetimit që nuk përjashtohet është ajo e lëvizjes me shpejtësi tej normave të lejuara nga drejtuesi i mjetit. Për pasojë, ai nuk ka mundur që të ndalet në kohë, në momentin e pikasjes së udhëtarit me biçikletë.                             o.u/m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›