Përplaset familja shqiptare, 2 vdesin
SARANDE - Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave të një familjeje shqiptare ka ndodhur paraditen e së mërkurës në Filipiadhë të Janinës. Burime policore bëjnë të ditur se paraditen e së mërkurës, në vendin e quajtur Filipiadhë, në afërsi të qytetit të Janinës, në drejtimin për në Kakavijë, është rrëzuar mjeti që drejtohej nga shtetasi Aleksandër Mako. Si rrjedhojë ka gjetur vdekjen drejtuesi i mjetit Aleksandër Mako dhe foshnja e tij 1-vjeçare. Ndërsa kanë shpëtuar bashkëshortja e shoferit dhe kunata e tij, të cilat janë transportuar për në spitalin e Janinës, ku ndodhen në gjendje të rëndë. Mësohet se anëtarët e familjes Mako, të cilët kanë vite që punojnë si emigrantë në Greqi, ishin nisur për të kaluar pushimet e verës në vendlindjen e tyre në fshatin Livadhja. Pushimet këto, që përfunduan tragjikisht. Policia e zonës po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit fatal. sh.d