Rusia, 500 milionë USD për bazë ushtarake në Abkhazi
Rusia ka forcuar ndikimin dhe trupat e saj në rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, me argumentin se Gjeorgjia mund t’i sulmojë përsëri këto rajone të vetëshpallura të pavarura dhe të njohura vetëm nga Rusia dhe Nikaragua. Kryeministri rus, Vladimir Putin, tha dje se evropianët gjithnjë e më shumë po fajësojnë Gjeorgjinë për luftën e shkurtër në Kaukaz por kanë frikë ta pranojnë këtë publikisht, për shkak të presionit nga Shtetet e Bashkuara. Kështu ka cituar prestigjiozja amerikane “New York Times”. Putin ndodhej dje për vizitë në kryeqytetin e Abkhazisë, Sukhumi, për takime me zyrtarët lokalë, ku tha se vitin e ardhshëm Rusia do të shpenzojë 500 milionë dollarë për ndërtimin e bazave ushtarake në Abkhazi dhe në fortifikimin e kufirit të saj me Gjeorgjinë. Ministria e Jashtme ruse reagoi ashpër për vizitën e Putinit në Abkhazi, duke cilësuar atë si një provokim tjetër. Putin qartësoi në deklarata mediatike se sa e përkushtuar është Rusia për të mbrojtur dhe financuar këtë rajon. “Ky është një përforcim kufiri, një ndërtim modern, jo linjë Maginote”, tha ai duke iu referuar barrierës masive mbrojtëse, që Franca ndërtoi pa sukses ndaj mbrojtjes së Gjermanisë në vitin 1930. “Një kufi, për të bashkëvepruar me Gjeorgjinë dhe me Rusinë”, tha ai duke shtuar se Rusia ka shumë mbështetës në Perëndim. Sasia më e madhe e parave parashikohet të shpenzohet për baza ushtarake dhe përforcimin e kufirit mes Abkhazisë dhe Gjeorgjisë, por Moska ka ndër mend edhe të ndihmojë në financimin e buxhetit të rajonit duke iu paguar pensionet banorëve. Një përqindjeje të madhe të popullatës së Abkhazisë u është dhënë shtetësia ruse. Gjeorgjia e konsideron praninë ushtarake të Rusisë në Abkhazi dhe Osetinë Jugore, si shkelje e qartë e sovranitetit të saj. Rusia aktualisht ka dislokuar rreth 1000 ushtarë në Abkhazi dhe rreth 800 në Osetinë Jugore. Ai ka deklaruar se në secilin prej dy rajoneve, deri në fund të këtij viti do të dislokohen 3,000 ushtarë.