E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i privatizimit të INSIG,Qeveria e heq nga “strategjikët”

 

Pas dështimit të procesit të privatizimit të kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG, qeveria ka vendosur që të heqë nga privatizimet strategjike. Gjatë mbledhjes së djeshme, qeveria ka miratuar një ligj të veçantë për rihapjen e procesit të shitjes së kësaj kompanie. Në sajë të këtij projektligji, të miratuar dje, qeveria e ka përjashtuar kompaninë INSIG nga sektorët strategjikë, duke ndryshuar nenin 4 të ligjit. “Meqenëse tashmë sistemi bankar është liberalizuar tërësisht dhe ai i shoqërive të sigurimeve INSIG 100 për qind, me kapital tërësisht shtetëror, tashmë që do të rihyjë në proces privatizimi synohet ndryshimi i nenit 4 të ligjit “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve më me rëndësi të veçantë”, thuhet në relacion. Gjatë mbledhjes së djeshme, qeveria miratoi formulën e privatizimit të kësaj kompanie në bazë të së cilës privatizimi i saj do të kryhet përmes një tenderi të hapur ndërkombëtar, ku do të marrin pjesë jo vetëm investitorë të huaj por edhe vendas. INSIG zotëron 100 për qind të aksioneve mbas rikthimit të 39 për qind të aksioneve nga BERZH dhe IFC-ja. Vitin e kaluar u zhvillua tenderi për privatizimin e kësaj shoqërie, ku u shpall fituese kompania ARLI me qendër në Teksas USA, si investitor i vetëm strategjik që paraqiti një ofertë sipër kufirit të përcaktuar nga qeveria. Por kjo e fundit, mbas negociatave me grupin e punës së privatizimit të INSIG, dhe konsulentin, u tërhoq nga oferta e dhënë në dhjetor të vitit 2008. Shkak ishte recesioni ekonomik ndërkombëtar. Por pavarësisht dështimit të tenderit të parë, qeveria duket e vendosur për të përfunduar një herë e mirë procesin e privatizimit të kësaj shoqërie. Për këtë arsye, në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave vendosi që kompania e sigurimeve INSIG të mos jetë më pjesë e sektorëve strategjikë, për sa i përket procesit të privatizimit. Në këtë mënyrë, kjo kompani mund të rihyjë sërish në procesin e privatizimit, vetëm se këtë herë në tender nuk do të ketë vetëm investitorë të huaj por edhe vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›