E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Transparencë në zgjedhje edhe pa kamera

 

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar që procesi i zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit të kryhet në transparencë të plotë. Sejdiu tha se e respekton vendimin e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosvendosjen e kamerave në vendvotime, edhe pse ai mbështeste aplikimin e teknologjisë moderne në zgjedhjet lokale të 15-të nëntorit. “Unë mendoj se është mirë të flas për të përgjithshmen, që sa më tepër transparenca të jetë për qytetarët, për publikun dhe cilën rrugë do ta zgjedhin këta pas këtij vendimi është çështje e tyre. Prapë unë nuk do të ndërhyj. Për mua do të ishte shumë e nevojshme që teknologjitë më bashkëkohëse që janë për pjesën përcjellëse, do të thosha të transparencës dhe gjithë procesit të zgjedhjeve, të jenë në aplikim. Ky është qëndrimi im. Unë nuk dua të hyj në vendimin e tyre e ta kontestoj, apo të mos e kontestoj, sepse është vendim i tyre. Zgjedhjet mund të organizohen të mira. Komisioni ka vlerësuar kështu dhe unë s’dua të ndërhyj atje”, ka deklaruar Presidenti Sejdiu. Opozita në Kosovë është e pakënaqur me këtë vendim të KQZ-së. Por për ndryshimin e programit të zgjedhjeve duhet ndryshuar edhe buxheti i tyre. Megjithatë KQZ nuk e ka përjashtuar mundësinë për diskutime të reja për vendosjen e kamerave nëpër qendrat e votimit me 15 nëntor. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka marrë një vendim për mos vendosjen e kamerave nëpër qendrat e votimit me 15 nëntor, për shumë arsye. Ishte çështja e kohës, ishte çështja e kostos së lartë që mund të kishte një projekt i tillë. Debatet kanë qenë konstruktive dhe vendimi është marrë 5 me 4, në 3 favor të mos vendosjes së kamerave”, tha zëdhënësi i KQZ për RTK. Por ai shtoi se nuk ka ende ndonjë kërkesë zyrtare për rishqyrtim vendimi. “KQZ-ja nuk ka ndonjë kërkesë konkrete, mirëpo në rast se KQZ-ja do të ketë ndonjë kërkesë të subjekteve, pra partive, për këtë, atëherë do të shqyrtojë fillimisht kërkesën dhe sigurisht mund të marr një vendim edhe për rishqyrtim”, tha zëdhënësi duke hedhur poshtë mundësinë që pas vendimit të KQZ-së të ekzistojnë motive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Aktualisht vazhdon afati për certifikimin e subjekteve që do të garojnë në zgjedhje. Rreth 40 subjekte kanë aplikuar deri tani, përfshirë edhe subjektet që përfaqësojnë pakicat. Së fundmi është aprovuar edhe kërkesa e partisë Popullore malazeze dhe Ajvazi tha se pritet që edhe kjo parti të garojë në zgjedhjet e 15 nëntorit.

Prova vizive
Radiotelevizioni i Kosovës ka siguruar xhirime ekskluzive, ku shihen tre spiunët e arrestuar serbë, duke biseduar rreth blerjes së dëshmive të rreme mbi akuzat kundër Kosovës për trafikun e organeve të serbëve gjatë luftës. Nga bisedat vërtetohet se të arrestuarit ofronin shuma të mëdha parash në këmbim të dëshmive të rrejshme për transplantim organesh, për të cilat ata thonë se Qeveria e Serbisë do të paguaj deri në 100 mijë euro. Igor Juçinac, serb kosovar, Millutin Radonoviq dhe Predrag Zheljkoviq, shtetas të Serbisë tashmë ndodhen në paraburgime të arrestuar si spiunë.

Vjen Rasmussen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, mbërrin sot në Kosovë. Në njoftimin e dërguar nga forcat paqeruajtëse në Kosovë thuhet se zoti Rasmusen, fillimisht do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneral-lejtnantin Xhuzepe Emilio Gaj, për t’u takuar me vonë edhe me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ministrin e FSK-së, Fehmi Mujota. Rasmusen pritet të takohet edhe me përfaqësuesit kryesorë të komunitetit ndërkombëtarë dhe udhëheqësit vendorë politikë, thuhet në njoftim. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›