Rrugët rurale të Tropojës janë të bllokuara nga dëbora
Rreshjet e mëdha të dëborës që po vazhdojnë prej dy ditësh kanë përkeqësuar situatën në rrethin e Tropojës.
"Tashmë thuajse të gjitha rrugët në zonat rurale janë të bllokuara, ndërsa trashësia e dëborës në zonën e Valbonës, të Lekbibajt, Rragamit, Padeshit etj ka arritur në mbi një metër",- tha sot nën prefekti Syl Smajlaj.
Sipas tij, "ende janë të kalueshme nga mjetet vetëm akset rrugore Bajram Curri - Krumë, qafë Morinë - Bajram Curri - Fierzë dhe Fierzë-Qafë Mali, ndonëse me një trashësi mbi një metër dëborë, por në këto segmente janë përqëndruar 3 mjete borëpastruese.
Ndërkohë, si rrjedhojë e rreshjeve të pandërprera të dëborës në qytetin e Bajram Currit trashësia e dëborës ka arritur në mbi 30 centimetra, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve, gjë që ka detyruar bashkinë që të përdorë një mjet të marrë me qera për pasrimin e rrugëve kryesore të qytetit nga dëbora.
Pavarësisht nga situata e krijuar, deri tani nuk ka patur probleme të ndjeshme për komunitetin. "Deri tani nuk është regjistruar asnjë aksident, apo ngjarje tjetër të jashtëzakonshme",- thotë Smajlaj
...