Tragetet në Durrës sot nisen me 3-4 orë me vonesë pasi presin udhëtarët kosovarë

Katër tragete janë nisur sot në orët e para të mëngjesit drejt portit të Barit (Itali), duke shënuar 3-4 orë vonesa krahasuar me grafikun e parashikuar. "Vonesat e udhëtarëve që mbërrijnë me automjetet e tyre nga Kosova dhe Maqedonia dhe që janë shkaktuar nga vështirësitë e motit të keq dhe të rrugve të rënduara, kanë ndikuar në nisjen e vonuar të trageteve nga Durrësi", tha Drejtori i Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Naim Manuka.
Sipas të njejtit burim, autoritetet portuale dhe kufitare kanë kërkuar nga drejtuesit e trageteve të shtyjnë për disa orë lundrimin drejt Barit dhe mjetet lundruese janë nisur sot në orët e para të ditës pasi janë sistemuar të gjithë udhëtarët që kanë mbërritur në terminalin e trageteve. Manuka sqaroi se mirëkuptimi me drejtueit e kompanive të lundrimit ka qenë mjaft i rëndësishëm për të mos i mbajtur në Durrës bashkëatdhëtarët që presin të rifillojnë punë në vendet ku jetojnë dhe punojnë pas pushimeve të fundvitit.
Nga burimet zyrtare të kapitenerisë së portit mësohet se nga ora 24.30 deri në 02.50 janë nisur njeri pas tjetrit tragetet "Riviera Adriatika”, “Apollon”, “Penelope” dhe “Flaminia”, ndërsa sot paradite në portin e Durrësit kanë mbërritur tragetet “Aurelia” dhe “Ionis” nga Bari dhe “Riviera del Connero” nga Ankona. Burimet thanë se kushtet detare janë të mira dhe gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe pesë tragete të tjerë nga porti i Barit, dy prej të cilëve do të nisen menjëherë drejt portit italian.
Mbi 15 mijë udhëtarë janë nisur gjatë ditëve të para të janarit nga Durrësi drejt porteve italiane të Barit, Ankonës dhe Triestes.
...