E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugëzgjidhja e munguar (Po sikur të mos hapen kutitë?!)



Para dy muajsh, shumica e deputetëve të Partisë Socialiste dukeshin të qetë dhe të gatshëm të ndiqnin shefin e tyre në aksionin politik, siç e quante, apo aventurën politike siç e përcaktojnë rëndom kundërshtarët e bojkotit të Kuvendit. Bojkoti i Kuvendit madje nuk u artikulua as si i tillë, por u gjetën togfjalësha të çuditshëm, “marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin”, sikur po bënin sqarim në një fjalor shqip-shqip. Por qetësia e tyre ka nisur të humbasë, madje dukshëm. Ata janë akoma të gatshëm t’i qëndrojnë kësaj aventure (aksioni), por nuk janë më të qetë për fundin e kësaj rruge ku po ecin, nëse do të ketë një fund. Një nga deputetët më të flaktë të bojkotit, Erion Braçe dhe kolegu i tij, Alfred Dalipi, i kërkuan kryetares së Kuvendit rrogën si deputet dhe pse s’kanë bërë akoma betimin. Duket qartë se ata nuk e kanë menduar që në nisje se bashkë me bojkotin do të sakrifikonin dhe privilegjet e të qenit deputetë, pra pagën. Kjo letër është shenja e parë e ngutjes së këtyre deputetëve, që kërkojnë një zgjidhje gjetiu, qoftë dhe teknike për hallin e tyre, ndërkohë që nuk u ofrohet një zgjidhje nga partia e tyre.

Pikëpyetja që po i rëndon këto kohë socialistët e logjikshëm është çfarë do të ndodhë më pas? Çfarë do të ndodhë pas mos-hapjes së kutive?! Edhe pse brohorasin në mitingjet maratonë nëpër rrethe ku kërkohet hapja e kutive të 28 qershorit, ata kanë nisur të kuptojnë se kjo s’do të ndodhë kurrë. Në një mënyrë a një tjetër, të gjithë kanë nisur të tjerrin në mendje një rrugëzgjidhje, një rrugëzgjidhje të munguar në aksionin politik të Edi Ramës. Edi Rama nuk parashikon një afat në mendjen e tij, ndërsa deputetët mendojnë datën 6 mars, kur sipas rregullores së Kuvendit, skadon përfundimisht mandati i deputetëve të PS-së, duke i lënë dashje pa dashje jashtë Parlamentit për këtë katërvjeçar. E ndërsa “hapni kutitë” po humb çdo ditë tiparet e një kërkese konkrete, e po kthehet në një slogan fushate, deputetët pyesin veten dhe njëri-tjetrit deri kur do të vazhdojnë kështu? Do të vazhdojnë deri në djegien e mandateve? Do të vazhdojnë deri në zgjedhjet lokale të ardhshme? Do të vazhdojnë deri në 2013?

Kanë nisur të ngrihen skenarë nga më të çuditshmit e më qesharakët për përfundimin e rrugëtimit të bojkotit, ndërsa pritet një përgjigje nga ideuesi i tij, Rama. E vetmja gjë e pritshme dhe e parashikueshme deri më tani është shkëputja përfundimtare e 5 deputetëve kundërshtarë të bojkotit, të cilët e kanë vendosur të mos djegin mandatin që u kanë dhënë zgjedhësit, duke preferuar më mirë të marrin dhe shqelmin e fundit nga “partia” e Ramës. Në podiumet e mbrojtjes së bojkotit joparlamentarët janë më të zellshëm se të zgjedhurit nga populli. Ndërsa bojkotuesit e vërtetë shtrydhin mendjen, masterat dhe eksperiencat e tyre, për të gjetur një zgjidhje logjike, një zgjidhje që ndoshta do të kthehej në realitet sado e pamundur duket para nihilizmit të Ramës, për të mos hyrë as në Kuvend e as në zgjedhje deri sa të rilexohet vota e 28 qershorit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›