Shëngjin, gjendet trupi i pa jetë i 25-vjeçares, mister shkaqet
LEZHË- Gjendet e vdekur në plazhin Shëngjinit një 25-vjeçare nga qyteti i Fierit. Policia nis hetimet, duke shoqëruar pronarët e hoteleve dhe pushues të ndryshëm për zbardhjen e ngjarjes. Mbetet enigmë deri tani, nëse e reja ishte mbytur nga dikush apo vdekja i kishte ardhur në mënyrë të natyrshme nga ndonjë infarkt. Ndërsa ajo u gjet e pajetë në orën 13:45 minuta të ditës së djeshme, nga pushues që frekuentonin plazhin Shëngjinit.
Viktima
Trupi pa jetë i një 25-vjeçare është gjetur në pyll, te vendi i quajtur “Rëra e Hedhur” në afërsi të plazhit të Shëngjinit, në rrethin e Lezhës. Era e rëndë, që kishte nisur të merrte trupi pa jetë, ka tërhequr vëmendjen e të pushuesve. Ndërkohë që trupi pa jetë është gjetur 20 metra larg rrugës kryesore dhe në mesin e tre hoteleve në Shëngjin. Ndërsa interesant është fakti që zona është mjaft e populluar nga pushuesit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, mësohet se 25-vjeçarja Anisa Opingari, është gjetur e pa jetë, ndërsa në mesin e disa pishave, ndërsa ajo ka qenë me rroba banjo dhe pranë saj është gjetur edhe çanta, ku ndodhej edhe karta e identitetit. Fierakja, sipas policisë së Lezhës, duhet të ketë më tepër se një javë në vendin ku u gjet, ndaj po hetohet për shkaqet e vdekjes së saj. Sipas burimeve policore mësohet se viktima ishte nënë e dy fëmijëve dhe kishte vetëm katër muaj që ishte ndarë nga bashkëshorti, me të cilin jetonin në Greqi. Po kështu bëhet me dije se ajo kishte tri ditë që kishte ardhur nga shteti helen, ndërsa familjarët e saj kanë bërë denoncim për zhdukjen e saj.
Hetimi
Ndërkohë që në vendin e ngjarjes, Policia e Lezhës ka kryer edhe ekspertizën, ndërsa ka nisur edhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Aktualisht trupi pa jetë i 25-vjeçares Opingari është dërguar në morgun e spitalit të Lezhës, ku po i nënshtrohet edhe kontrollit të mjekësisë ligjore, pasi dekompozimi i kufomës ka bërë që shenjat të mos dallohen qartë, nëse vdekja i ka ardhur nga ndonjë shkak dhune apo vrasje, apo ka qenë një vdekje natyrale. Vendi me pisha ku është gjetur kufoma ka bërë që policia e Lezhës të ngrejë edhe pistat hetimore, për të hetuar çdo detaj. Janë marrë në pyetje edhe tre pronarët e hoteleve dhe lokaleve, për të parë nëse viktima ka prenotuar ndonjë dhomë për fjetje, ka qëndruar qoftë edhe një natë në këto hotele dhe me kë ka qëndruar. Ndërkohë që për policinë, më efikase do ishte për momentin edhe nxjerrja e ekspertizës mjekësore, për të parë mundësinë e shtrirjes së hetimeve, bëjnë të ditur burime policore. Ndërsa deri tani nuk shikohen shenja dhune në trupin e 25-vjeçares.