Rryshfet në tenderin e uniformave "arrest shtëpie" tregtarit Ilir Sulo
TIRANE - Ilir Sulo, biznesmeni elbasanas i akuzuar në dosjen e tenderit të uniformave të Ministrisë së Brendshme, u paraqit dje në Gjykatën e Tiranës ku u njoh me masën e sigurisë "arrest shtëpie" të dhënë në ngarkim të tij nga Gjykata e Apelit e Tiranës. Sulo, i cili u arrestua në Bullgari për llogari të autoriteteve shqiptare u dërgua dje në gjykatë i shoqëruar nga policia e Elbasanit, e cila e mban në ruajtje sipas vendimit të gjykatës. Burime nga seanca e zhvilluar dje pohojnë se Sulo pasi ka dhënë gjenealitetet para gjyqtares së gatshme Elona Gjoka, është shprehur se nuk ishte dakord me akuzën. Sipas tij dhe avokatit të tij mbrojtës organi i hetimit e kishte ngarkuar padrejtësisht biznesmenin dhe se ky për shkak të mungesës nuk kishte pasur mundësi të mbrohej. Pasi bëri verifikimin e tij gjykata i komunikoi masën e sigurisë "arrest shtëpie" që kishte vendosur për të Gjykata e Apelit. Sipas prokurorisë, biznesmeni elbasanas Sulo, akuzohet të jetë i pandehuri kryesor në abuzimin që është bërë në tenderin 1.7 milionë euro për uniformat e Ministrisë së Brendshme. Për këtë tender, i ndarë në 14 lote u vunë në pranga edhe tre biznesmenë të tjerë dhe dy zyrtarë, por që Gjykata e Apelit e Tiranës dhe e Larta, i ndryshuan masat e sigurisë. Sipas prokurorisë biznesmenët akuzohen të kenë ofruar ryshfet në bashkëpunim me njëri-tjetrin që në total arrinte në 125 mijë euro, ndërsa zyrtarët e kanë përfituar këtë shumë për t'iu dhënë tenderin që në total arrinte në 175 milionë lekë të reja. Në bazë të përgjimeve të kryera nga organet e hetimit dhe survejimit të të pandehurve u vunë në pranga zyrtarët dhe biznesmenë, ku këta të fundit dhanë deklarime të vlefshme për hetimin si dhe mënyrën e kryerjes së korrupsionit. Pas kësaj policia ngriti ndaj biznesmenëve akuzën e "korrupsionit pasiv" kurse ndaj zyrtarëve "korrupsion aktiv" dhe "ushtrim ndikimi të paligjshëm te persona që kryejnë detyra publike". I vetmi që i shpëtoi prangosjes ishte biznesmeni elbasanas Ilir Sulo, i cili ishte larguar jashtë vendit. Pas disa javësh ai u prangos në Bullgari në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Tirana. Por pak ditë më vonë Gjykata e Apelit e ndryshoi masën e sigurisë në ngarkim të tij. Pas kësaj Sulo u rikthye në Shqipëri ku u njoh me masën e sigurisë "arrest shtëpie", ndërsa pohoi se kishte udhëtuar në Bullgari për arsye biznesi dhe jo për t'iu fshehur hetimit. fa.ma.