Zaranika, përroi që përpin sa herë bie shi
ELBASAN - Përroi i Zaranikës në qytetin e Elbasanit mbetet një rrezik i madh për qindra familje që jetojnë pranë tij. Me ardhjen e pranverës kanë dalë në pah dëmtimet dhe pasojat që ka lënë pas stina e dimrit. Si pasojë e prurjeve të shumta të ujit që derdhen në lumin Shkumbin, argjinatura e këtij përroi, i cili nis në zonën veriore të qytetit dhe përfundon në zonën Jugore ka pësuar dëmtime të shumta. Zaranika është një përrua mjaft i rrezikshëm për qytetin pasi buzë saj jetojnë sot me dhjetëra familje, kryesisht të shpërngulura nga zona të ndryshme të qarkut të Elbasanit. Sipas banorëve të zonës, përroi në kohë me reshje fryhet aq sa mund të dalë dhe nga shtrati për të rrezikuar jetën e tyre. Drejtues të pushtetit lokal u shprehën se fatmirësisht, këtë vit përroi nuk ka dalë nga shtrati. Kjo falë investimeve që janë kryer rreth dy vite më parë nga fondi të miratuar nga ana e Qeverisë në vlerën e 2 milionë lekëve. Por, edhe pse për meremetimin e argjinaturës janë dhënë fonde të mëdha, ajo vazhdon të jetë sërish një rrezik për banorët në pjesë të ndryshme të saj në të cilat nuk janë kryer investime. Janë disa pjesë të dëmtuara rëndë duke përbërë kështu një rrezik për jetën e qindra banorëve që jetojnë buzë këtij përroi, por, edhe për dhjetëra biznese të cilat kanë investuar buzë argjinaturës së Zaranikës. Frika e përmbytjes ekziston pas çdo shiu të dendur që bie në qytetin e Elbasanit. Shpesh janë shfaqur problemet si pasojë e armaturës së dobët. Pushteti vendor ka akorduar disa here fonde të konsiderueshme për të riparuar pritat dhe çarjet e vazhdueshme të këtij përroi. a.k