Lumi Drin vërshon në Gjoricë
DIBER - Banorët e fshatit Gjoricë e Poshtme në rrethin e Bulqizës kanë ngritur ditët e fundit prita për të ndalur vërshimin e lumit Drin në shtëpitë dhe pronat e tyre. Dhjetëra banorë kanë siguruar mjete gërmimi dhe transporti me qira dhe kanë nisur punën për ngritjen e argjinaturave në perëndim të lumit Drini i Zi. Më të dëmtuarit nga uji kanë qenë fiset Balliu dhe Jella. Kryefamiljarët thonë se fillimisht janë detyruar të largojnë nga shtëpitë e tyre fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes dhe më pas të bashkohen për t'i bërë ballë lumit të rrëmbyeshëm. "Kemi kërkuar ndihmën e komunës, - thonë ata, - por si në rastin e tërmetit, drejtuesit lokalë nuk janë dukur në fshatin tonë. Pleqësia e fshatit ka njoftuar edhe Këshillin e Qarkut Dibër, por askush nuk ka ardhur për të parë nga afër situatën dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara". Deri tani dëmtimi i argjinaturës ka shkaktuar dëme në shtëpitë dhe pronat e 15 familjeve. h.p