PS: Protesta të pandalshme deri në largimin e Sali Berishës
Pesë ditë nga protesta e parashikuar të zhvillohet nga opozita në Tiranë deputeti Blendi Klosi ripërsëriti apelin për të gjithë qytetarët që më 30 prill të bashkohen të gjithë së bashku në bulevardin e Tiranës në një protestë të pandërprerë deri në largimin e këtij pushteti “ilegjitim”, siç e quajti deputeti socialist Blendi Klosi. Në një prononcim për shtyp nga selia rozë, deputeti socialist bëri apel për të protestuar, për premtimet e pa mbajtura të kryeministrit, rritjes së çmimeve dhe “të kësaj Qeverie që nuk punon për shqiptarët, por për pasurimin e një klike pushtetarësh e familjarësh.” “Sali Berisha na flet për arritje e për rritje ekonomike, por në më pak se një vit ai ka rritur vetëm papunësinë, varfërinë e dëshpërimin. Plot 160.000 vende pune premtoi Sali Berisha në fushatë, por në më pak se një vit ai ia doli të nxjerrë në mes të katër rrugëve si të papunë më se 100.000 shqiptarë. Sali Berisha na flet për rritje rrogash e pensionesh, por gjithë çfarë është rritur në këtë vend është borxhi, çmimet e pamundësia ekonomike... Mbi 2000 dollarë duhet të paguajë sot çdo shqiptar për të shlyer borxhet e abuzimet elektorale të Sali Berishës”, nënvizoi Klosi. Sipas tij, sot çmimet e të gjitha shërbimeve e produkteve, të ushqimeve, të ujit dhe energjisë kanë shkuar në stratosferë. Mbi 2000 dollarë duhet të paguajë sot çdo shqiptar për të shlyer borxhet e abuzimet elektorale të Sali Berishës. Prandaj në 30 prill, të bashkohemi të gjithë njëzëri në bulevardin e Tiranës për të protestuar deri në largimin e kësaj Qeverie që nuk punon për shqiptarët, por për pasurimin e një klike pushtetarësh e familjarësh. PS ftoi qytetarët e Durrësit të marrin pjesë në protestën që do të zhvillohet nesër në Durrës dhe paralajmëroi protesta të pandalshme në të gjithë qytetet dhe fshatrat deri në largimin e Qeverisë.