PS, votëbesim kryesisë pas protestës
Aristir Lumezi
Partia Socialiste do të rinovojë kryesinë dhe sekretariatin e saj. Në mbledhjen e parë që Asambleja Kombëtare do të zhvillojë gjatë muajit maj, pritet të ketë një votëbesim të kryesisë socialiste, e cila ka kohë që nuk mblidhet. Që pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe daljes së disa anëtarëve të kryesisë socialiste për dorëheqjen e kryetarit të PS dhe mosrikandidimin e tij, funksionimi i kryesisë socialiste u bë formal. Zakonisht kryetari socialist Edi Rama, e ka zëvendësuar rolin e kryesisë me mbledhjen e një përfaqësie të saj, që është quajtur “kryesia e vogël”, ku janë diskutuar të gjitha çështjet dhe qëndrimet e saj opozitare. Ndërsa sekretariati ekzekutiv i PS thuajse nuk ka funksionuar më që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime pranë PS pohojnë se një rinovim i kryesisë do të ndodhë në mbledhjen e parë të asamblesë, e cila pritet të zhvillohet pasi të ketë mbaruar procesi i zgjedhjes së strukturës më të re organizative të PS, kryetarëve të rretheve të cilët automatikisht do të jenë dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Por mos funksionimi i kryesisë pritet të sjellë një proces edhe më të shpejtë. Sipas statutit të ri të PS, të miratuar në kongresin e një jave më parë, është kryesia e PSSH që miraton kandidaturat për kryetarë socialistë të rretheve, pas propozimeve që do të vijnë nga asambletë socialiste të rretheve. Por me gjendjen aktuale që ka kryesia ekzistuese, një mision i tillë duket i pamundur, për shkak se kryesia ka mjaft divergjenca dhe qejfmbetje. Për këto shkaqe ajo nuk mblidhet prej disa muajsh. Madje anëtarë të saj, të njohur si Mendimi Ndryshe” janë akuzuar edhe nga vetë kryetari socialist Edi Rama duke i cilësuar si bashkëpunëtorë të Sali Berishës dhe kundër interesave të PS. “Nuk besoj se ka sot ndonjë qytetar të këtij vendi, aq me pak ndonjë opozitar, që të ketë nevojë për shpjegime në këtë pikë. Rruga e tyre nuk përputhet gjëkundi me të PS-së dhe për fat të keq konvergon plotësisht me rrugën e Sali Berishës dhe këtij pushteti, që ka grabitur zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë”, është shprehur Rama për anëtarët e kryesisë të Mendimit Ndryshe. Por në mbledhjet e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe në kongres, edhe deputeti Erion Braçe ka ngritur shqetësimin e mosfunksionimit të kryesisë dhe sekretariatit, por ai ka bërë apel që ajo të rinovohet vetëm mbi bazën e meritave të secilit dhe jo të miqësive me kryetarin e PS. Propozimi për anëtarët e kryesisë dhe sekretariatit mbetet në dorë të kryetarit të PS, ndërsa është asambleja dhe kryesia që mund të shtojë kandidatura alternative, të cilat votohen me votim të fshehtë.