"Sherri" me Alban Rexhën, akuzë për torturë 2 policëve
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda mori të pandehur për akuzën e "torturës" tre efektiva policie të cilët më 29 dhjetor 2009 ndaluan një grup të rinjsh në periferi të Tiranës mes të cilëve edhe Alban Rexha. Burime të prokurorisë pohuan dje se dy efektivave të policisë Alfons Gjoni dhe Klodian Bala, u është njoftuar akuza për "torturë", kryer gjatë shoqërimit në rajon të shtetasve Pajtim Serjani, Enea Gega dhe Shamet Mejdani. Këta ishin personat që u ndaluan nga policia mbrëmjen e 29 dhjetorit në një automjet ku ndodhej edhe Alban Rexha, personazh i spektaklit "Kafazi i Artë". Pas më shumë se tre muajsh hetime, prokuroria ngriti akuza ndaj tre të rinjve të cilët patën qëlluar me armë ndaj patrullës së policisë. Sipas Krimeve të Rënda, ndaj tre të rinjve është ngritur akuza "vrasje e mbetur në tentativë ndaj efektivave të policisë". Por ndërkohë që të rinjtë qëlluan me armë në drejtim të policisë pas ndalimit të makinës së tyre nga auto-patrulla, prokuroria thotë se forcat e policisë kanë ushtruar dhunë ndaj të rinjve gjatë arrestimit të tyre. Për këtë shkak, organi i akuzës thirri në prokurori efektivat e policisë që ndërhynë në ngjarje mbrëmjen e 29 dhjetorit 2009. Dy efektivat e policisë Alfons Gjoni dhe Klodian Bala u morën në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda më 2 prill 2010 ku gjatë dëshmisë së tyre mohuan të kishin ushtruar dhunë ndaj të rinjve. Sipas dëshmisë së policëve, ata kanë qenë me shërbim në periferi të Tiranës dhe i kërkuan të ndalonin për kontroll personave që ndodheshin në automjetin me targa BOT QA 997. Sipas policëve, makina fillimisht nuk i kishte ndaluar thirrjes së policisë dhe më pas dy nga personat që ndodheshin në automjet kanë qëlluar me armë. "Ne nuk kemi ushtruar dhunë, nuk e dimë çfarë ka ndodhur më pas sepse lajmëruam grupin e gatshëm që erdhi dhe i ndaloi personat", kanë dëshmuar në prokurori dy efektivat e policisë. Megjithatë ata janë marrë të pandehur për kryerjen e veprës penale "torturë" pasi tre të rinjtë, Pajtim Serjani, Enea Gega, Shamet Mejdani, kanë pohuar se ndaj tyre ishte ushtruar dhunë fizike nga policia. Ndërkohë Alban Rexha kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes, por u arrestua disa muaj më vonë fillimisht me akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë", por më pas kjo akuzë u rrëzua nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e cila kualifikoi veprën në "kanosje". Incidenti për të cilin tashmë akuzohen edhe forcat e policisë por edhe të rinjtë, ka ndodhur më 29 dhjetor 2009 në mbrëmje pasi policia kërkoi të ndalonte për verifikim makinën ku ndodheshin personat e arrestuar. Disa prej personave që ndodheshin në makinë fillimisht nuk ndaluan pas thirrjes së policisë dhe më pas qëlluan në ajër. Uniformat blu i akuzuan të ndaluarit për tentativë vrasje kurse të rinjtë thanë se kishin qëlluar në ajër. tr.so