E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruben Araya: Jeta ime në një barakë

E paguajnë për të ruajtur një reklamë të madhe buzë autostradës së Santiagos, në Kili. Për të mos ia ndarë sytë 24 orë, ai ka ndërtuar një barakë të vogël pas saj

Jeton 16 metra lart nga toka, në një barakë të vogël të ndërtuar pas një reklame të madhe buzë autostradës së Santiagos. Për këtë arsye, ish punëtori 42-vjeçar, Ruben Araya, është pagëzuar me emrin "Zog". Këtë e bën për punë: duhet të kujdeset që askush të mos prishë ose vjedhë projektorët që ndriçojnë natën reklamën, sepse në të kundërt koncesionerët e reklamës nuk i japin rrogën. Edhe pse është një punë e vështirë ka vendosur që të jetojë: "Më mirë këtu, sesa të punoj në fabrikë".

Si e gjetët këtë punë?

Para se të bëhesha roja i kësaj reklame, punoja punëtor në fabrikën e çantave. Po përpiqesha të kurseja para, sepse doja të blija një shtëpi. Gjithçka shkonte për mrekulli, derisa një ditë më përplasi një biçikletë. Për shkak të plagëve të marra nga aksidenti nuk punova tre vjet. Nuk mund t‘i përdorja më duart, kështu që m‘u desh të pranoja çdo punë që më ofrohej. Vjehrri im po punonte roje pranë një reklame të "Coca Cola"-s dhe më pyeti nëse dëshiroja të punoja me të. Unë pranova menjëherë.

Kur ju lindi ideja që të ndërtonit një barakë të vogël pas reklamës?

Në fillim i alternoja turnet me vjehrrin, por kur lindi fëmija im i dytë, kisha nevojë për më shumë para dhe kështu vendosa që ta merrja të gjithë punën përsipër. Sot kaloj ditë e net këtu lart. Marr 280 mijë pesos (370 euro). Rroga minimale në Kili është 150 mijë pesos, 198 euro. ///////Janë shumë para për atë që bëj unë. Natyrisht që nuk mjaftojnë, por nuk kam gjetur më mirë për të mbajtur familjen time. Duke qenë se punoja vazhdimisht dhe nuk kisha mundësi që të kthehesha në shtëpi, në La Bandera (një qytezë e vogël, një orë larg kësaj reklame), mendova që të ndërtoja këtë barakë të vogël. Nuk ishte komode, por të paktën do të kisha një vend për t‘u çlodhur dhe kryesorja do të isha i qetë.

Kush e ka ndërtuar barakën?

Vjehrri im, me dërrasa dhe kompensata që i ka gjetur rrugës. Më pas, për ta bërë më komode sollëm nga shtëpia disa sende, fillimisht një dyshek dhe televizorin. Pastaj një magnetofon, një furnelë me gaz, një krevat dhe një tavolinë. Që kur jetoj këtu, jam bërë më vital. Nuk kam as banjë e as dush. I kryej nevojat e mia ku të më rastisë. Por, për fat të mirë, dritën e kam falas dhe kjo më bën të jetoj e të ndihem shumë mirë. Më mungon vetëm një antenë dhe një DVD. Në fillim ngjitesha lart vetëm për të fjetur, ndërsa tani qëndroj më shumë në shtëpizën time sesa poshtë. Ndihem mirë aty brenda. Shpesh vjen edhe bashkëshortja ime ta kalojë natën me mua.

Si nis dita juaj?

Ngrihem herët në mëngjes dhe kontrolloj nëse pesë projektorët janë në vend. Duhet t‘i ruaj nga ndonjë hajdut: kushton 350 mijë pesos (463 euro) një. Gjithashtu kontrolloj që drita e reklamës të lexohet deri në fund të autostradës. Nëse reklama nuk shihet, atëherë "Coca Cola" nuk ma jep rrogën. Më pas nuk kam më asgjë për të bërë, por vetëm rri. Takohem me shokët dhe pimë ndonjë gotë verë duke e përzier me "Coca Cola". Duhet ta shoqërojmë medoemos me këtë të fundit, sepse në të kundërt nuk na shijon.

Puna juaj është e rrezikshme?

Shumë. Këtu duhet të mësosh të mbijetosh. Kur dilja nga baraka dhe shihja poshtë, batakçinjtë e lagjes më kërcënonin duke më thënë se do të ma bënin mishin copa-copa sapo të zbrisja poshtë. Kisha frikë dhe nuk më zinte gjumi gjithë natën. Por duke qenë se nuk më bënin asgjë të keqe, fillova t‘i ngacmoja dhe më pas hyra në muhabet me ta: në fund të fundit mbeten budallenj. Janë fëmijë mistrecë dhe pjesën më të madhe i ka braktisur familja. Nuk arrij ta kuptoj se si ia bëjnë të jenë kaq të paedukatë. Por unë nuk ngatërrohem me ta. Më intereson ta mbaj mirë, sepse i kam parë se si i sulmojnë njerëzit rrugëve.

A ka ndodhur ndonjëherë ndonjë gjë e keqe?

Sigurisht. Disa prej këtyre djemve kanë përdhunuar edhe vajza të vogla që kalonin këtej. Dy herë kam gjetur kufoma te shtyllat e reklamës. Nuk e kuptoj se përse i sjellin të vdekurit këtu, ndoshta ngaqë është lumi Mapoko. Herën e parë vranë një djalë 18 vjeç, i cili ishte homoseksual. E lanë te shtyllat e reklamës dhe policia dyshoi se mos e kisha vrarë unë.

Çfarë ju mërzit më shumë?

Kur më merr malli për gruan dhe fëmijët dua të heq dorë, por pastaj pendohem, sepse është një punë pa stres, nuk kërkon ndonjë angazhim të madh, duhet vetëm durim. Më parë punoja nga mëngjesi deri në darkë dhe telashet nuk kishin të sosur.

Dhe çfarë ju pëlqen?

Gjatë ditës më pëlqen të shoh reklamën, nga njëra anë duket fytyra e Zotit, me sytë dhe mjekrën! Ndërsa në mbrëmje duken dritat e kullës Entel, gjithashtu edhe UFO-t: në orën pesë të mëngjesit shfaqet gjithmonë një. I kam parë 3-4 herë, por nuk e kisha telefonin me vete për t‘i fotografuar.

Çfarë ju ka mësuar puna?

Të lirohem nga dëshira për gjërat materiale. Nuk më interesojnë më. Tani jam lidhur me gjërat e thjeshta dhe me jetën pa luks, që mendoj se janë shumë më të rëndësishme se sa të qenit i pasur.

Cili është mesazhi i reklamës?

Nuk e di, por është zbavitëse që është vënë këtu, në këtë vend ku nuk ka asgjë nga ato që tregon reklama dhe që, në anën tjetër, duket shtëpia ime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›