Todi Bozo: Shumë skenarë filmi, pak vlera
Një projektim filmash, biseda miqsh që i kujtojnë shumë vite në Kinostudio dhe një libër në të cilin ka hedhur vitet e përvojës. Producenti dhe regjisori Todi Bozo, në një ceremoni të organizuar me mbështetjen e Arkivit të Filmit, ka festuar 75-vjetorin e lindjes. Janë shumë vite në Kinostudio. Bozo ishte një nga kuadrot e parë si producent dhe pjesë e stafit të disa filmave të njohur të asaj kohe. Kujtimet në këtë ditë janë të shumta, e po ashtu problemet që ai, me syrin e një njeriu që ende është aktiv, sheh në zhvillimet e sotme të filmit shqiptar. "Ngjarjet e punës plot mërzi, plot dhimbje, por edhe plot gëzime nga rezultatet e punëve të asaj kohe janë të shumta. Kemi punuar dhe kemi krijuar jashtëzakonisht shumë. Sigurisht duke mos pasur këta stimuj, sidomos materialë. Stimujt ishin moralë, nuk kishim as honorare. Emrin e kishim autor, por nuk kishim asnjë të drejtë materiale nga pronësia e autorësisë. Skenaristi dhe kompozitori ishin të vetmit që shpërbleheshin. Kësaj i shtojmë edhe të famshmen censurë dhe autocensurë, kujton Bozo. Vihet në vështirësi nëse e pyet për kujtimet e filmave. Sidomos nëse i duhet të zgjedhë mes tyre. "Çdo prind i do dhe ka mall për të gjithë fëmijët njësoj. Ashtu ndodh edhe me filmat. Sigurisht diku-diku ka një debolesë më të madhe. Unë e kam për "Debatikun". Ishte një nga filmat e parë me regjisorin Hakani. Një film tepër i vështirë, i realizuar në kënetën e Maliqit, ku merrnin pjesë me qindra figurantë, gra dhe burra, të cilët në mesin e dimrit, në atë grykën e Devollit që të thante era e ftohtë, duhej të hynin në ujë. Filma me vështirësi. Por kishte një gjë që duhet thënë dhe nuk është e drejtë ta mohoj. Shteti i dilte për zot të gjitha nevojave që kishin kineastët. Atëherë na erdhën njëmijë figurantë që sot i kemi shumë vështirë t‘i gjejmë", shprehet producenti. Ndërsa shton se momentet më të vështira ishin vlerësimi i filmave nga Byroja Politike. Ndonëse shprehet se masat ekstreme kanë qenë të rralla, kujton episode të censurës me filma si "Yjet e netëve të gjata" (kur vajzat partizane në një kohë pushimi të batalionit vinin në një ujëvarë e laheshin me këmishat e gjata prej liri të trashë, u ngjiteshin pas trupit e u tregonin format. Ky episod u quajt imoral dhe u hoq). Raste të tilla kishte dhe me "Kapedanin" e filma të tjerë. Por kishte edhe momente humori. "Mbaj mend njëherë kur xhironim në Durrës. Si gjithmonë, kur shkonte grupi i xhirimit, ishte një eveniment. Të parët që i bashkoheshin grupit të filmave ishin budallenjtë e qytetit. Njëherë po prisnim të dilte dielli bashkë me një inspektor nga Komiteti i Partisë. Ishte një djalë me zhvillim të vonuar dhe papritur hedh një batutë: edhe në komunizëm nuk do të ketë barazi njerëzore. Instruktori u nxeh. Të thoje një gjë të tillë atëkohë kur Partia propagandonte të kundërtën, ishte rrezik i madh. Më tej ai vazhdoi: A do të ketë budallenj në komunizëm?!", kujton regjisori. Bisedës nuk mund t‘i shmanget gjendja aktuale e kinematografisë shqiptare. Bozo është edhe sot aktiv. Si producent ekzekutiv ka qenë pjesë e filmave "Kolonel Bunker" dhe "Syri magjik" të Kujtim Çashkut, "Kronikë provinciale" i Artan Minarollit dhe "Koha e kometës" me Fatmir Koçin. Është pjesë edhe e këshillit miratues të projekteve të filmit artistik në Qendrën Kombëtare të Filmit. "Filmi, sot ka shumë probleme. Për fat të keq, kur erdhi puna që kinematografia shqiptare do të riorganizohej, vetiu kapitalizmi kërkonte të tilla rregulla, Kinostudioja nuk iu dha në përdorim kineastëve. Atëkohë filluan të lindnin shtëpitë filmike. Shoqatat e kineastëve propozuan që të kishte bashkëpunim, por kjo nuk u mor në konsideratë. Por fatmirësisht ligji i kinematografisë pruri disa fenomene pozitive: ligjëroi shtëpitë filmike, krijoi Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, e cila do të stimulonte, nxiste dhe përkrahte kineastët dhe shtëpitë filmike dhe do të organizonte në një farë mënyre stimulimin për të ndihmuar kineastët e rinj. Por ndërkohë që fondet për të realizuar filma janë tepër të kufizuara (mund të hyjnë në prodhim maksimumi dy filma të gjatë dhe dy të metrazhit të shkurtër), kërkesa, prurja e skenarëve e platformave që vijnë për t‘u shqyrtuar në bord, në këshillin e projekteve është shumë e madhe. Në këtë drejtim, ka me të vërtetë probleme. Është bërë një dyndje edhe nga njerëz që nuk janë profesionistë. Prurje ka shumë, vlera ka pak. Është vështirë të dallosh një që "të kërcejë" mbi të tjerët", shprehet Bozo. Libri i tij, "Produksioni i filmit", i cili ka dalë dje nga shtypi, rrok këto probleme. Pse çalojnë skenarët shqiptarë? "Nuk kemi skenaristë, thotë Bozo, ata që ishin dhe merreshin me skenarët, ikën. Një pjesë vdiqën, një pjesë u morën me punë të tjera dhe tani përtojnë t‘i kthehen skenarit. Ndoshta këtu ndikon dhe fakti që janë vetëm dy filma. Pavarësisht nga ëndrrat tona, edhe kur Qendra miraton projektet, do të fillojë një peripeci e madhe për të gjetur partnerët e huaj të cilët bëjnë 500 manipulime për të rritur përqindjen e aksioneve të tyre". Financat, probleme të organizimit të filmit (shtëpi të shumta filmike), specializimi dhe përgatitja e kineastëve, mbrojtja e të drejtave të autorit dhe nxitja e shkrimtarëve dhe skenaristëve që të merren më seriozisht me skenarët, janë problemet e mprehta aktuale të kinematografisë shqiptare.