SAC: Pinari më detyroi të punoja me Delijorgjin
Patrick Henry, pronari i "firmës" së Gërdecit shpjegon lidhjet me zyrtarët shqiptarë dhe shpërthimin e 15 marsit
"Municionet e Gërdecit mund të jenë shitur në Afganistan, asgjë nuk më habit me Delijorgjin"
Pronari i kompanisë "Southern Ammunition Company Inc", Patrick Henry ka komentuar dje për mediat amerikane shpërthimin e Gërdecit duke pohuar se ishte Drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, ai që e detyroi të punonte me Delijorgjin. Madje ai ka hedhur dyshimin se një pjesë e municioneve që janë dërguar për demontim në Gërdec, mund të jenë shitur më pas tek firma AEY duke u dërguar në Afganistan. Henry ka pohuar se ka qenë në Shqipëri një javë përpara shpërthimit dhe se nuk ishte në dijeni të punëtorëve të pakualifikuar që bënin demontimin e municioneve. Ai ka shpjeguar se kishte ardhur në vendin tonë për të marrë pajisjet e tij, të cilat ia kishte "bllokuar" dhe i përdorte Delijorgji për demontimin e predhave të ushtrisë që sollën edhe tragjedinë e 15 marsit.
***
"Në kohën kur ndodhi shpërthimi ne nuk ishim të përfshirë në asgjë që kishte lidhje me Shqipërinë dhe me Gërdecin. Kontrata jonë mbaroi në dhjetor 2007 dhe më datë tetë të atij muaji të gjithë punonjësit tanë u kthyen në shtëpi. Ata ishin në shtëpi përpara Krishtlindjeve",- ka nisur rrëfimin e tij Patrick Henry. Firma e tij "Southern Ammunition" kishte një kontratë qeveritare për demontimin e municioneve të kalibrit të vogël që ndodheshin në Shqipëri që në vitet 50'. Këto ishin municione sovjetike dhe kineze. Sipas Henry, firma e tij furnizoi fabrikën me pajisje dhe supervizorët përkatës por pjesën më të madhe të punës ia dha kompanisë shqiptare "Alba Demil" në pronësi të Mihal Delijorgjit.
***
Shpërthimi i tmerrshëm i 15 marsit nxori në dritë lidhjet korruptive të Delijorgjit, i cili është raportuar të ketë lidhje me mafian. Delijorgji është akuzuar të ketë shitur municione të prishura që ndodheshin në depot shqiptare tek një firmë nga Majemi, AEY, e cila i ka dërguar më pas në Afganistan për të luftuar Talebanët dhe Al Qaedën. Kjo kontratë është bllokuar nga Pentagoni. Vetë Henry ka pohuar se ai nuk ka asnjë lidhje me AEY dhe punën e saj në Shqipëri. Ai ka shpjeguar se edhe për këtë municion ka dyshime. "Asgjë nuk më habit më me këtë çështje", ka pohuar Henry duke shtuar më pas se një pjesë e municioneve që janë dërguar në Gërdec për demontim mund të jenë shitur nga Delijorgji tek AEY e më pas tek ushtria afgane. "Southern Ammunition" ka bërë paratë e saj në Shqipëri duke ndarë municionin nga mbajtëset e saj dhe shitur mbetjet si skrap. Henry ka parë të dyshimtë faktin që kompania e Delijorgjit i ka dhënë vetëm gjysmën e municioneve që duhet t'i jepte. "Një pjesë e madhe e municioneve që duhet të vinin me gëzhoja tunxhi kanë përfunduar në municione me gëzhoja çeliku. Për këtë gjë nuk na u dha asnjë shpjegim",- pohon Patrick Henry i "Southern Ammunition".
***
Ai ka pranuar që të punojë me Delijorgjin pasi është detyruar nga ana e drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. "Pinari më tha që duhet të punoja me të. Ai më tha se Delijorgji kishte demilitarizuar rreth 800 tanke të ushtrisë shqiptare dhe ishte njeriu i duhur për punën. Ai di si ta bëjë këtë punë sepse e ka bërë edhe më parë këtë lloj pune",- ka thënë Patrick Henry. Ai ka shpjeguar se vetëm një herë kishte pasur të bënte me AEY, kompaninë tjetër amerikane që punonte me Delijorgjin dhe Pinarin në Shqipëri. "Unë jam njohur me këtë firmë në fillim të vitit 2007 kur të dy aplikuam për kontratën e furnizimit të trupave afgane me municione. Nuk kisha asnjë ide që AEY ishte e lidhur me Delijorgjin deri sa një miku i tij i kishte thënë për shkrimin në NY Times. Kur e lexova kuptova lidhjet",- ka pohuar Patrick Henry.
Vizita e fundit në Shqipëri
Drejtori i "Southern Ammunition" ka pohuar se ka qenë në Shqipëri vetëm një javë përpara shpërthimit të tmerrshëm të 15 marsit. "Ne kishim ende pajisjet tona atje dhe po përpiqeshim që t'i merrnim. Do t'i nisnim për në SHBA. Por ditën që ndodhi shpërthimi unë nuk ndodhesha aty. Isha në Gjermani kur mësova për këtë gjë",- ka pohuar Patrick Henry. Ai ka shpjeguar se pajisjet e tij ishin ende në përdorim të Delijorgjit edhe pse kishte më shumë se tre muaj që "Southern Ammunition" kishte ndërprerë punën në Gërdec. Në lidhje me faktin se në këtë fabrikë punonin personel i pakualifikuar, përfshirë gra e fëmijë, Henry ka pohuar se nuk dinte gjë. Dëshmitë e punëtorëve, ditari i fabrikës së Gërdecit dhe një video amatore kanë treguar mënyrën se si shfrytëzoheshin gratë e fëmijët, të cilët demontonin çdo ditë mijëra predha të rrezikshme ushtrie. "Unë nuk dija asgjë për personelin e pa trajnuar që punonte në fabrikë. Ata nuk po punonin për kontratën e "Southern Ammunition". "Alba Demil" kishte një kontratë tjetër, të ndarë nga e para, për demontimin e predhave të kalibrit të madh", ka shpjeguar Patrick Henry. Kjo lloj pune i sjell tregtarëve miliarda dollarë fitime, si në tregun e ligjshëm ashtu edhe në tregun e zi, dhe bëhet kryesisht në vendet ish-komuniste, të cilat janë të gatshme të heqin qafe municionet e vjetra ushtarake. Pjesa më e madhe e kësaj pune, përfshirë edhe atë që ka bërë në Shqipëri "Southern Ammunition", bëhet pa u marrë vesh nga publiku. Por ajo që ndodhi me 15 mars në Shqipëri do të bëjë që asnjë nga këto punë, në çfarëdolloj vendi të botës, të mos kalojë pa u mësuar. "Menjëherë pas ngjarjes telefoni im nuk ka pushuar së rëni. Të gjithë donin të flisnin me mua, të gjitha mediat", tregon Patrick Henry.
Patrick Henry ka marrë çerekun e aksioneve në këmbim të përdorjes së emrit të tij nga Delijorgji
SAC aksionere me 25% tek "Alba Demil"
Jo gjithçka që ka deklaruar pronari i firmës amerikane "Southern Ammunition", Patrick Henry, është absolutisht e vërtetë. Ky është vetëm versioni i tij i historisë pasi hetimet në Shqipëri kanë treguar se "Southern Ammunition" ishte ortake me "Alba Demil". Një vit më parë ajo ishte prezantuar nga Ministria e Mbrojtjes për të fituar me prokurim të drejtpërdrejtë, të drejtën për të demoluar municionet e kalibrit të vogël, fishekë. Prezantimin e kishte bërë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke paraqitur një dokument për profilin e "Southern Ammunition Company". Sipas ish-ministrit, ajo do të demontonte municionet e kalibrit të vogël me anë të metodave të ndarjes mekanike, pa impakt në mjedis, duke instaluar makinat e pajisjeve të saj dhe për këtë procedurë të ketë edhe përfitimin e saj nga produktet e rezultuara nga demontimi dhe ajo do të bënte edhe derdhjen e një vlere të caktuar në favor të buxhetit të shtetit. Ajo që është zbuluar më pas ka treguar se firma amerikane nuk ka bërë asnjë pagesë për buxhetin e shtetit shqiptar, por vetëm ka ofruar "lëkurën" amerikane për të mbuluar firmën "Alba Demil" të Mihal Delijorgjit, duke përfituar 25 për qind të aksioneve. Kjo, megjithëse ligji shqiptar lejon deri në 40 për qind të shumës për nënkontraktorin. Sipas Regjistrit Tregtar për të dhënat e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, "Alba Demil" është regjistruar në 28 dhjetor 2006, si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar dhe kohëzgjatje të pacaktuar. Kapitali i themelimit ishte 100 mijë lekë të reja. Objekt i firmës do të ishte çmontimi, demilitarizimi dhe eksporti i armatimeve të të gjitha llojeve të kalibrave dhe përfaqësues ligjorë do të ishin Patrick Cornelious Henry III dhe Mihal Delijorgji. I pari do të kishte përqindje të pjesëmarrjes në kapitale 25 për qind, ndërsa i dyti 75 për qind. Selia e firmës: Gërdeci, në Vorë.
Byroja federale ka marrë në pyetje pronarin e firmës "Southern Ammunition Company" dhe po heton aktivitetin e saj
FBI hetime në SHBA për Henry dhe firmën e Gërdecit
Koincidenca të çuditshme dhe një sërë ngjarjesh të pazakonta kanë detyruar që Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në SHBA të nisë një hetim në lidhje me një firmë të vogël në kontenë Horry. Një firmë pothuajse e panjohur për amerikanët por që në Shqipëri është përgjegjëse për një ngjarje që ka shkaktuar 22 të vdekur dhe më shumë se 30 të plagosur. Bëhet fjalë për "Southern Ammunition Company", e cila është firma që ka lidhur kontratën e tragjedisë së Gërdecit me qeverinë shqiptare. Tashmë kjo firmë po dyshohet dhe po hetohet për mundësinë e korruptimit të zyrtarëve shqiptarë dhe lidhjes me trafikun ilegal të armëve. Një gazetë lokale e qytetit ku ndodhet edhe selia e SAC ka zbuluar detajet e para të hetimit të sapo nisur të FBI-së për këtë çështje.
Të dhënat e para nuk kanë treguar ndonjë lidhje të kësaj kompanie në trafikun e fishekëve por FBI ka deklaruar se hetimi sapo ka nisur edhe është ende herët për të folur për përgjegjësi konkrete. Zyrtarët e FBI-së kanë shpjeguar se hetimi do të verifikojë gjithçka që ka lidhje me shpërthimet vdekjeprurëse që kanë ndodhur këtë muaj në depot e armatimit në Shqipëri. Por hetimi i FBI-së ka ndriçuar një pjesë të errët të rrjetit të dendur të bizneseve private që blejnë, shesin dhe shkatërrojnë rezerva dhjetëra vjeçare armësh të vendeve ish-komuniste. Dhe "Southern Ammunition" është një nga këto kompani. Ajo ka rreth që dekadë që vepron në një territor prej 19 hektarësh dhe ka "notuar" nën radarët e pjesës më të madhe të banorëve të kontes Horry. Sipas faqes zyrtare, "Southern Ammunition Company" shet një varietet municionesh dhe pajisjesh ushtarake. Aty theksohet edhe statusi i kompanisë, e cila është në një "zonë tregtie ndërkombëtare". Ky status lejon shitësit e armëve të zjarrit të importojnë armë të huaja në Loris (qytet në SHBA) dhe më pas t'i modifikojnë e t'i bëjnë operative për në SHBA. "Southern Ammunition", gjithashtu bën edhe demontim armësh të kalibrit të vogël për vendet e huaja. Nëpërmjet kësaj ajo përfiton skrapin që mbetet pas demontimit të armëve dhe municioneve. Ishte pikërisht kjo kompani që punonte në Shqipëri dhe që tashmë ka tërhequr vëmendjen e FBI-së. Hetimi pritet që të zbardhë të gjithë pjesët e errëta të kësaj kontrate që solli një tragjedi në Shqipëri. Byroja Federale e Hetimeve ka thërritur pak ditë më parë pronarin dhe përfaqësuesin dhe pronarin e vetëm të kësaj kompanie Patrick Henry, të cilin e ka marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen në Shqipëri. Vetë Henri ka pranuar se është thërritur nga hetuesit e FBI-së dhe është pyetur për çështjen.
Pentagoni heton tregtinë e armëve drejt Kabulit
Tregtia e municioneve në fabrikën e Gërdecit nxori mbi sipërfaqe një tjetër aferë të dyshimtë, ku MEICO implikohet në tregtinë e armëve drejt ushtrive aleate në Afganistan. Për këtë çështje ka nisur edhe një hetim i thelluar i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe rezultatet e tij pritet që të publikohen pas pak kohësh. "Shekulli" ka arritur që të sigurojë dokumentet që tashmë janë në proces hetimi për kontratën e kompanisë AEY me MEICO-n, për të furnizuar me municion ushtrinë amerikane që ndodhet në Afganistan, ku çmimi dyfishohej me anë të futjes së imponuar në lojë të sekserëve. Këto dokumente janë marrë më datë 19 janar 2008 nga oficerët e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Michael Mentavlos dhe Ferdinand Vasquez, të cilët kanë takuar biznesmenin denoncues, Kosta Trebicka, në mjediset e Ambasadës Amerikane të Tiranë.Sërish në këto dokumente implikohen pronari i "Alba Demil", Mihal Delijorgji, kreu i MEICO-s, Ylli Pinari dhe dalin emrat e disa zyrtarëve të tjerë të lartë shqiptarë. Nga hetimi ka rezultuar se firma amerikane "AEY Inc" ka marrë kontakte me qeverinë shqiptare dhe me firmën shtetërore "MEICO" për blerjen e një sasie të konsiderueshme municionesh luftarake nga vendi ynë dhe dërgimin e tyre në Afganistan. Por kjo kompani ka blerë fishekë me dyfishin e çmimit, pas përfshirjes së një personi të dyshimtë, të njohur si Heinrich Thomet në proces nga MEICO. Duke qenë se paratë janë dhënë nga shteti amerikan, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka ngulmuar që të zbulojë çdo detaj të kësaj çështjeje. Rreth dy muaj më parë, dy oficerët e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Michael Mentavlos dhe Ferdinand Vasquez, të ngarkuar për të kryer këtë hetim, kanë bllokuar një sërë dokumentesh të rëndësishme për të zbardhur të vërtetën. Ata janë takuar në mjediset e Ambasadës Amerikane me Kosta Trebickën, i cili iu ka dorëzuar të gjitha dokumentet që dispononte.
Problemet e Gërdecit
Kushtet e sigurisë
Një pikë e kontratave është ajo ku shpjegohen masat "tepër të larta të sigurisë". "Demolimi i municionit do të bëhet në kushte tepër të larta sigurie, sipas specifikimeve teknike që kërkon ky proces",- thuhet në kontratë. Por në realitet masat e larta të sigurisë përfunduan në një territor të rrethuar me llamarina, brenda të cilit punonin disa fshatarë të gjorë që nuk kishin asnjë dijeni për rrezikshmërinë e predhave luftarake. Këta janë edhe viktimat e tragjedisë. Sigurisht që dikush, ose më saktë shumë zyrtarë shtetërorë, duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë fakt.
Specialistët amerikanë
Kontrata parashikon edhe ndërtimin dhe instalimin e të paktën dhjetë vijave demilitarizimi dhe sigurimin e nga katër deri në dhjetë teknikëve që kanë si detyrë instalimin, supervizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve. Në realitet punëtorët panë vetëm një herë ca "specialistë" që u dhanë këshillën e vlefshme: Mos pini duhan mbi barut!.
Baruti dhe tritoli
"Baruti dhe eksplozivë të tjerë nga çmontimi duhet të transportohen jashtë qendrës së çmontimit drejt magazinës së barutit ose eksplozivit sipas të gjitha rregullave teknikë të këtij procesi. Transportimi i barutit duhet të kryhet jo më pas se një herë në 24-orë",- thuhet në kontratat e nënshkruara nga MEICO dhe SAC. Por punëtorët e mbijetuar të tragjedisë kanë deklaruar se baruti e tritoli që shpërthyen mesditën e së shtunës kishin ditë që ndodheshin aty, pa ndonjë magazinim të veçantë.
Dyshimi për falsifikimin e kontratës së dytë
Kontrata e dytë e lidhur me kompanisë shqiptare MEICO dhe "Southern Ammunition Company Inc"është tepër e dyshimtë. Ajo është firmosur nga Ylli Pinari dhe Patrick. C. Henry III, ashtu si dhe kontrata e parë. Por përveç faktit që kjo kontratë është mohuar nga pala amerikane, edhe firmat që ndodhen në të janë disi të dyshimta. Firma e Ylli Pinarit është e njëjtë në të dyja faqet ndërsa ajo e Patrick. C. Henry III është krejtësisht e ndryshme. Edhe me sy të lirë mund të dallohet shumë lehtë ndryshimi mes dy firmave. E nënshkruar më 28 dhjetor të vitit të kaluar, kjo kontratë nuk tregon vendin se ku është bërë firmosja.