Historia e Topallit
Edhe Jozefina Topalli, nënkryetare e PD-së, që është edhe Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, me këtë mendësi të Doktorit ecën. Ja, dje p.sh., më 29 mars, tre ditë para se të nisë në Bukuresht Samiti ku pritet që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Nota më e fortë për Shqipërinë është dërgimi i misioneve paqeruajtëse jashtë, në vatrat më të nxehta të globit, ku janë forcat shumëkombëshe të paqes. Duke folur me gazetarët në mesditë, Topalli u shpreh se: "Në fakt, dy vite më parë, edhe për optimistin më të madh, marrja e ftesës për në NATO ishte shumë e largët, gati e pamundur". Por pas disa orësh deklarata u retushua dhe zyra e shtypit e Kuvendit ia hoqi 2-shin, ashtu siç mund ta shihni në faqen e Kuvendit (www.parlament.al). Sepse paqeruajtës Shqipëria ka dërguar që kur Topalli sapo kishte ardhur në PD, më 1997, duke filluar nga Bosnje-Hercegovina dhe në Irak, paqeruajtësit i dërgoi Fatos Nano për ta patur mirë me amerikanët. Dëshmitarë për këtë pjesë të historisë mund të merren në çdo kohë ata mijëra ushtarë, që nga Sarajeva, Mosuli, apo Kabuli, të cilët paguajnë për të qenë pjesëmarrës në kontigjente paqeruajtëse, sepse paguhen sa një deputet në muaj dhe edhe pse janë në zona lufte, ende nuk kanë parë atje ndonjë lloj "Gërdeci" si në Shqipërinë e Berishës.
Zhdukja e Nanos
Të gjitha u morën vesh, të gjithë dolën e folën, shumë për të akuzuar, disa për të përgënjeshtruar. Vetëm ish-kryeministri Fatos Nano nuk dihet se ku është. "Spiuni" u interesua për fatin e udhëheqësit veteran dhe më në fund, dikush nga zyra që rri mbyllur te "Kullat binjake", i tha se z.Nano është shumë i tronditur. Nga Gërdeci?! Më keq,- ia ktheu bashkëpunëtori i ish-kryeministrit.- Zoti Nano po merr një trajtim intensiv sepse është shumë i shokuar. Po bën llogaritë e 11 viteve të fundit dhe i duket vetja kryeministri më leshko. Kur erdhi në pushtet në korrik 1997 nisi fushatën për të mbledhur armët dhe municionet që kishte marrë në duar popullata. Futi në lojë edhe OKB-në, që ta ndihmonte për të dhënë dollarë në këmbim të armëve. Pastaj erdhi Majko-Meta dhe ata u morën me të gjitha, po vetëm me Ushtrinë jo. Pastaj erdhi sërish vetë dhe ia la Majkos të shiste tanke, avionë dhe armë e municione për llogari të shtetit shqiptar. Iku dhe ia la Berishës në dorë dhe me inventar të gjitha, dhe ai jo vetëm që i nxori nga inventari, por edhe nga tunelet për t'i rënë për shkurt, m'u në Gërdec. Pale, u shiste afganëve të Karzait edhe fishekë të skaduar dhe paratë ndaheshin si të donte qeveria! Tani z.Nano po bën llogaritë e tij dhe po e vë veten në vendin e Berishës, i cili e akuzonte pas tragjedisë së 9 janarit 2004: "Ti je ma i zi se zija, ti je Fatos zija" dhe nga do që sillet, pyet: "Ka më zi se i ziu Gërdec?". Ndërsa psikologët i përgjigjen: "Po, Kryeministri i Gërdecit".