E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, goditet rrjeti i trafiku të klandestinëve, 7 në pranga

 

Operacioni i koduar "Rruga e vjetër" ka nisur gjashtë muaj më parë me infiltrimin e punonjësve të policisë në rrjet

 

VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar dje shtatë persona duke shkatërruar një rrjet të trafikut të klandestinëve. Operacioni i koduar "Rruga e vjetër", ka nisur në orët e para të ditës së djeshme dhe ka përfunduar në mëngjes. Të shtatë personat mbikëqyreshin për veprën e trafikimit të klandestineve, ndërsa në grupin e tyre kishte edhe persona të moshave 17 e 18 vjeç. Sipas policisë së Vlorës, të shtatë personat nga rrethi i Vlorës ushtronin aktivitet si një grup i organizuar për trafikun e klandestinëve.

Operacioni

Pasi ka marrë informacionet e nevojshme, madje edhe grumbulluar provat filmike e materiale për veprimtarinë e tyre është ndërhyrë prej orës 01.30 të natës deri në ora 09.00 të mëngjesit, ku është kryer ndalimi i të gjithë shtetasve në qytetin e Vlorës, Sarandës, dhe tre prej rrethinave, ku ndodhen banesat e tyre. Dyshimet, të provuara më pas nga përgjimet telefonike e infiltrimi i agjentëve, kanë rezultuar se trafiku orientohej nga Shqipëria, nëpërmjet Sarandës, në drejtim të shtetit grek. Policia ka prerë urdhër ndalimet për Besmir Shanaj, 21 vjeç, Sotir Veshi, 26 vjeç, Vendim Begaj, 18 vjeç, Admir Memaj, 17 vjeç, Sofokli Imeri 25 vjeç, Bilal Boçi, 42 vjeç dhe Ardian Beqiri, 38 vjeç. Gjatë arrestimeve të kryera, policia ka sekuestruar telefonat celularë të tyre dhe dy automjete që përdoreshin për këtë trafik. Momentalisht ata ndodhen ne dhomat e paraburgimit ku do të gjykohen për trafik klandestinësh në bashkëpunim. Pritet që personat të kalojnë direkt pas kësaj për dhënien e masës së sigurisë. Sipas policisë, ka dyshime për fillime të hershme të tyre, ndërsa policia nuk bën me dije detaje të tjera për shkak të hetimeve që vijojnë për të implikuar të tjerë të mundshëm në këtë trafik

Hetimi

Në ngarkim të të ndaluarve, gjykata e rrethit të Vlorës, kishte vendosur në 27 mars, masën e sigurisë arrest në burg pa afat, gjë që i parapriu veprimeve të policisë për prangosjen e tyre. Hetimi për aktivitetin kriminal të të ndaluarve, ka nisur rreth gjashtë muaj më parë dhe ishte shtrirë në disa rrethe të vendit, mes te cilave në Tiranë, Shkodër, Fier, etj, ku edhe sigurohej kontigjenti i klandestinëve. Nga burimet e policisë bëhet e ditur se për çdo person, tarifat e kalimit në shtetin fqinj, arrinin rreth 2000 euro. "Nga hetimet 6 mujore, të shtrira në rrethet Kukës, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Fier, Gjirokastër dhe Vlorë ky operacion ka goditur një rrjet të mirëfilltë të trafikimit të klandestinëve përmes përfitimeve të paligjshme deri në 2 mijë euro. Aktiviteti kriminal i këtyre personave shtrihej në tre drejtime: Kukës-Shkodër-Tiranë-Fier-Vlorë-Sarandë; Lushnje-Fier-Patos-Gjirokastër-Sarandë dhe Elbasan-Peqin-Rrogozhinë-Fier-Vlorë-Sarandë",- thanë dje burimet zyrtare të policisë.

Të arrestuari

Besmir Shanaj, 21 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë

Sotir Veshi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.

Vendim Bejaj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.

Admir Memaj, 17 vjeç, lindur në Elbasan dhe Banues në Vlorë, i padënuar më parë

Sofokli Ymeri, 55 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Sarandë, me arsim të lartë, i padënuar më parë.

Bilal Boci, 42 vjeç, lindur dhe banues në Delvinë, i padënuar më parë.

Ardian Beqiri, 38 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë, i padënuar më parë.

Linjat e trafikut

Kukës-Shkodër-Tiranë-Fier-Vlorë-Sarandë

Lushnje-Fier-Patos-Gjirokastër-Sarandë

Elbasan-Peqin-Rrogozhinë-Fier-Vlorë-Sarandë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›