E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Fajtore për Gërdecin, qeveria e pangopur

"Fajtorja kryesore për tragjedinë e Gërdecit është pangopshmëria e qeverisë". Dy javë pas shpërthimit shkatërrues në fshatin tashmë të rrënuar, 12 kilometra larg kryeqytetit, ish-kryeministri Aleksandër Meksi bën përgjegjëse kryesore qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha. Sipas tij, është kabineti qeverisës i cili duhet të mbajë mbi supe koston politike dhe morale të kësaj tragjedie të radhës për shqiptarët, që ka si strumbullar z.Berisha, ministrat dhe ushtarakët që ai ka nën komandë. "Unë do të doja të bëja një paralelizëm mes kaosit të pranverës 1997 dhe ngjarjes tragjike të 15 marsit 2008. Dhe në të dy rastet është një koinçidencë: Sali Berisha që ka të gjitha pushtetet dhe Ushtria, e cila zbaton verbërisht urdhrat e tij". Unë jam i mendimit që kasta drejtuese e ushtrisë duhej zhveshur dhe dërguar para gjyqit ushtarak si pjesëmarrëse në masakrën e Gërdecit",- u shpreh ai.

***

Aleksandër Meksi ishte shkarkuar nga detyra në shkurt të vitit 1997, si përfaqësues i linjës së moderuar që ishin kundër politikës militare që nisi të zbatonte presidenti i asaj kohe. 11 vite më parë ish-presidenti Berisha eliminoi fare qeverinë nga vendimmarrja, duke përdorur SHIK-un, segmente kriminale të policisë dhe mercenarë, për t'iu përgjigjur me armë protestave paqësore të popullatës, e cila kërkonte kthimin e rreth 1.2 miliardë dollarëve kursime që ishin futur në firmat piramidale të falimentuara. Pas dezertimit të ministrit, Shefit të Shtabit dhe të drejtuesve kryesorë ushtarakë, ushtria i braktisi depot e armatimeve dhe municioneve, dhe popullata u armatos deri në dhëmbë. Bilanci ishte shumë tragjik: me 4000 të vrarë, mijëra të plagosur dhe një vend ku çdokush kishte një arsenal armësh. Edhe pas 12 vitesh nga ajo kohë ish-kryeministri Meksi bën përgjegjës për këtë ngjarje tragjike për venin, ish-presidentin që refuzoi të pezullonte funksionimin ilegal të firmave mashtruese, ndërsa qeveria e z.Meksi deri në shkurt 1997 kishte arritur të jepte deri në 50 për qind të parave që kishin futur shqiptarët, te dy fondacione mashtruese. Sipas tij, ata që erdhën më pas në qeverisje i lanë të lira financat e skemave piramidale, duke i zhdukur ato. Ai thotë se e njëjta skemë po përdoret tani për përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit dhe i bëri thirrje organeve përkatëse që të bllokojnë dhe të hetojnë për fitimet e nxjerra nga tregtia e armëve. "Duhet patjetër që të hetohen transfertat e fondeve që janë grumbulluar nga tregtia e paligjshme e municioneve",- u shpreh ish-kryeministri Meksi. Ai e mbrojti tregtinë e ligjshme dhe konform marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat synojnë që të mos furnizohen me armë dhe municione vende që janë nën embargo, apo ku mungojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. "Ne arritëm që të shesim rreth 36 milionë dollarë armë dhe municione, por nuk bëmë asnjë skandal, siç bëri qeveria dhe ushtria kësaj radhe me jetën dhe emrin e shqiptarëve",-deklaroi ish-kryeministri Meksi.

"Gërdeci" partiak i forumeve të partisë

Berisha e ka hedhur në erë PD-në

I distancuar prej vitesh nga pjesëmarrja në forumet e PD-së, ish-anëtari i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së vëren me keqardhje se kryetari i saj, Berisha e ka shkatërruar partinë e themeluar në 12 Dhjetor 1990. Sipas tij, ai po qeveris jo me idealistët demokratë, por me ata që në rebelimin e vitit 1997 ishin dalluar si udhëheqës të turmave të armatosura që i vunë flakën Shqipërisë. "Këta rebelë që rrënuan institucionet, prej tre vitesh janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Berishës, ndërsa ai e ka paralizuar Partinë Demokratike",- u shpreh Meksi.

Ashti si shumë themelues të tjerë të partisë së parë opozitare në Shqipëri, Meksi, vijon të akuzojë z.Berisha si arkitektin kryesor të shkatërrimit të PD-së. "Ai e ka hedhur në erë prej kohësh partinë e idealeve të Dhjetorit 1990", duke e komentuar pushtetin e pakufishëm të kryetarit, si një "Gërdec" partiak për forumet e partisë më të madhe të shumicës qeverisëse.

Biznesmeni: Edhe për një procedurë të thjeshtë duhet miratimi i dikastereve të linjës

Kontratat për municionet, u shmangën ministritë

Hetimet e deritanishme për funksionimin e ndërmarrjes së përbashkët fitimprurëse mes "Albademil" dhe "MEICO" kanë treguar se biznesi i milionave ishte bërë me një "pakt xhentëlmenësh", duke injoruar jo vetëm legjislacionin shqiptar, por edhe ministritë e linjës.

Një biznesmen nga Tirana që kishte dashur të ngrinte një terminal të vogël për shkarkimin e naftës në një nga bazat bregdetare në Shqipëri, në kohën kur ministër i Mbrojtjes ishte Pandeli Majko, kishte dështuar në misionin e tij. Ministria ishte treguar e gatshme, por për këtë duhej edhe miratimi nga ministritë e tjera të linjës, si Ministria e Ekonomisë, ajo e Mjedisit etj. Duke parë në horizont një mal me procedura, biznesmeni thotë se e pa më të udhës që të hiqte dorë nga plani i mëtejshëm, për të ngritur një biznes për qëllime civile në një zonë ushtarake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›