E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubik, grabiten paratë e pensionistëve, pranga arkëtarit

Policia e Lezhës bëri me dije se është ndaluar shtetasi Lek Marku, 61-vjeç, arkëtar në zyrën postare në Rubik, ndërsa nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases, Dava Lazri, 60-vjeçe, ekonomiste në këtë zyrë.

Gjatë natës së shkuar, në qytetin e Rubikut nga persona të paidentifikuar është vjedhur me thyerje Zyra e Postes Shqiptare. Grupi hetimor i cili ka shkuar në vendngjarje ka konstatuar se është vjedhur kasaforta e koduar e kësaj zyre ku në të gjendeshin rreth 215.200 lekë të reja, të cilat do t’u shpërndaheshin pensionistëve.

Shtetasit Lek Marku dhe Dava Lazri kanë shpërdoruar detyrën pasi nuk kanë dorëzuar këtë sasi parash në arkën qendrore të zyrës postare në Rrëshen.

Në vendngjarje u fiksuan tetë gjurmë daktiloskopike të cilat dërgohen në I.P. Shkencore në Tiranë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale. Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale të “Shpërdorim detyre”,si dhe për “Vjedhje”. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-03-15 10:26
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›