Rubio: Tirana ka shanse vetëm me kundërsulm

Trajneri i Tiranës, Hulian Rubio
Sot ora 19:00/ Trajneri rrëfen planin për të mposhtur Alesundin.
“Janë të fortë, por ne kemi cilësi. Shkojmë për kualifikim”
Hulian Rubio dukej më shumë se i qetë pak orë përpara nisjes drejt Alesundit. Ai i ka idetë e qarta tashmë dhe nuk ngurron që t’i shfaqë edhe para mediave. Ka një plan për të eliminuar kundërshtarin, duke luajtur në kundërsulm. E konsideron këtë mënyrë loje efikase, në një kohë kur edhe norvegjezët bënë të njëjtën gjë. “Të gjithë jemi optimistë dhe më vjen shumë mirë për këtë fakt. Kam parë që lojtarët nuk kanë rënë aspak moralisht, përkundrazi. Sigurisht, kjo ka qenë edhe detyrë e jona për ta mbajtur skuadrën të karikuar. Ndaj duhet thënë se në të ka harmoni, dhe kjo ka shumë rëndësi. Kam menduar që të luajmë në kundërsulm. Një mënyrë loje kjo mjaft e mirë. Mendoj se është njëlloj sikur të luajmë në sulm, edhe në kundërsulm. Të njëjtën mënyrë zgjodhi edhe kundërshtari ynë në ndeshjen e parë, çka rezultoi efikase për ta. Besoj se do t’ia dalim me sukses me këtë lloj loje që kam zgjedhur të zbatojmë”, – thotë fillimisht spanjolli.
Kundërshtari – Norvegjezët në fakt i cilëson të fortë, megjithatë e thotë hapur se në tokën norvegjeze po shkojnë për kualifikim. Ai shpalos cilësitë e ekipit të tij, teksa thotë: “Nuk ishte e nevojshme të prisnim ndeshjen e parë për të kuptuar diçka më shumë rreth kundërshtarit. Që në fillim e kam ditur se janë një skuadër shumë e mirë, me cilësi dhe që luajnë një futboll të bukur. Mirëpo edhe ne kemi cilësitë tona, të cilat do t’i shfrytëzojmë për të marrë maksimumin”. Më tej, ai shpjegon se përse e evitoi stërvitjen e fundit në Norvegji: “Për mua është njëlloj, si të stërvitemi këtu, si atje. Seanca e fundit ishte efikase dhe unë jam i kënaqur nga impenjimi i djemve”.
Kontrata – Ka nënshkruar për 40 ditë, çka do të thotë se pas Alesundit ajo kontratë skadon. Spanjolli sqaron se ajo është thjesht një procedurë, kështu që të mos u druhen surprizave. “Unë kam firmosur një kontratë 40-ditore për arsye procedurash. Kam biseduar me drejtuesit e klubit dhe ne kemi rënë dakord për kontratën. Unë asnjëherë nuk kam folur për të tilla gjëra. Edhe sezonin e kaluar kam nënshkruar vetëm një ditë para fillimit të kampionatit. Madje edhe gjatë kohës që skuadrës nuk i janë shlyer rrogat, kam heshtur dhe kam bërë punën time njëlloj. Ndaj mendoj se rezultati i ndeshjes nuk do të ndikojë tek e ardhmja ime. Besoj se do të firmos sapo të kthehemi nga Norvegjia. Disa titullarë, ashtu si dhe unë, kanë firmosur kontrata vetëm për 40 ditë. Megjithatë, s’mund ta përjashtojmë mundësinë që takimi i sotëm të ndikojë në të ardhmen e disave prej tyre. Por, unë uroj që të rikthehemi të kualifikuar, pasi edhe klubi do të përfitojë shumë gjëra, çka është më e rëndësishmja, paratë nga UEFA”, – përfundon Rubio.
Temperaturat
Dihet që klima në Norvegji gjatë kësaj kohe është tepër e ftohtë. Parashikimet për ditën e sotme nuk janë të favorshme për bardheblutë, që është mësuar me të nxehtin. Temperaturat minimale në Alesund janë 11 gradë celsius, ndërsa ato maksimale 13. Në orarin e ndeshjes pritet që të mos ketë erë, gjë që do lejojë qarkullimin normal të topit.Kujdes, arbitri s’i kursen kartonët
Tashmë dihet se treshja që do të gjykojë Alesund-Tirana nesër është nga Irlanda e Veriut. Kryesori i kësaj sfide do të jetë Arold Hunter, asistentë të tij Riçard Storej dhe Xhejms Eakin, kurse i katërti është Mervin Smith. Sa i përket arbitrit kryesor, ai ka një veçori: në ndeshjet e fundit që ka gjykuar, nuk i ka kursyer aspak kartonët, teksa ka ndëshkuar me të kuq e me të verdhë një sërë lojtarësh. Kësisoj, bardheblutë duhet të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim, për të evituar daljen nga fusha.Bastet
Kompanitë e basteve favorizojnë Alesundin. Ata e kanë kuotuar me diferenca të mëdha këtë duel. Konkretisht, vendësit me 1.35, ndërsa bardheblutë me 7.50. Nga ana tjetër, barazimi ka koeficientin 4.30, që do të thotë se Tirana ka shumë pak shanse për kualifikim. Megjithatë, barazimi i takimit të parë 1-1 i mban ende në lojë kryeqytetasit.Transmetimi
Ka shumë pak gjasa që ndeshja mes Alesundit dhe Tiranës të transmetohet nga mediat shqiptare sot në orën 19:00. Deri tani të paktën nuk ka dalë asnjë njoftim. E vetmja mënyrë për ta ndjekur për tifozët e shumtë të Tiranës,
të paktën ata që s’e patën mundësinë për të shkuar në Norvegji, mund të jetë nëpërmjet ndonjë linku që do të nxirret
nga mediat vendëse.