Skënderbeu, Levi drejt shkarkimit

Stanislav Levi
“Mirupafshim! Shihemi më 1 gusht”. Kjo ishte përshëndetja e fundit e Stanislav Levit me lojtarët e Skënderbeut, pak çaste para largimit të trajnerit drejt Çekisë. Ndeshja ndaj Debrecenit, sipas të gjitha gjasave do të rezultojë e fundit që tekniku 54-vjeçar drejton Skënderbeun. Shanset për qëndrimin e tij në pankinën korçare janë të pakta. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” edhe nga burime konfidenciale pranë drejtuesve. “Nëse ekipi kualifikohej, atëherë mundësitë e rinovimit të kontratës së Levit do të ishin të mëdha. Vetëm mund të reduktohej stafi, teksa ndihmësi i tij, Hysi, do të shkarkohej me siguri”, tregoi dje një burim pranë presidentit të Skënderbeut. Më 31 korrik, ashtu si pjesa dërrmuese e lojtarëve, edhe Levit i përfundon kontrata me klubin. Ndërkohë, palët nuk kanë lënë asnjë datë për nisjen e bisedimeve. Presidenti Zeqo është larguar tejet i zhgënjyer, në një kohë që sinjalet për të ardhmen e trajnerit janë dhënë që në Hungari. Dështimi në Ligën e Kampioneve është përjetuar shumë keq nga drejtuesit, për më tepër që skuadra kishte shanse reale për t’u kualifikuar, pas suksesit 1-0 në Korçë. Tashmë ajo që pritet të ndodhë, është likuidimi i trajnerit edhe me rrogën e fundit, në bazë të kontratës që ai ka dhe falënderimi për atë që ka dhënë te Skënderbeu. Ndonëse është herët për të folur, të njëjtat burime tregojnë për gazetën se drejtuesit kanë projektuar edhe trajnerin e ardhshëm. Në pritje të zyrtarizimit të largimit të Levit, kreu i ri i pankinës do të jetë sërish një i huaj.
Shehi
Portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit në dy ndeshjet me Debrecenin, ka analizuar dje dështimin në Ligën e Kampioneve. “Nuk arritëm të dilnim aspak në lojën tonë. Toleruam shumë në ndeshjen e parë dhe kësisoj e pësuam në të dytën. Atë që nuk bëmë ne në Korçë, e bëri Debreceni në shtëpi. Diferenca kjo ishte, ne shënuam 1 gol në ndeshjen e parë, ndërsa hungarezët 3 në të dytën. Kundërshtari arriti të shfrytëzonte në maksimum rastet, gjë që ne nuk e bëmë”.