Genc Pollo: Projekti i Ramës për informacionin, nuk zgjati më shumë se një javë
Ministri i TIK i kujton ish kryetarit të bashkisë së Tiranës, dështimin e projektit të tij për sinjal interneti falas te zona e Piramidës
Edi Rama mblodhi dje rreth vetes disa ekspertë të teknologjisë së informacionit, gjoja për të prezantuar programin e PS-së për telekomunikacionet dhe inovacionin teknologjik. Rama tha se numri i bizneseve me teknologjinë më të re është i kufizuar ndërsa përdorimi i kësaj teknologjie është shumë modeste. Ish kryetari i bashkisë së Tiranës, aktualisht kryetar i PS-së foli për domosdoshmërinë e dixhitalizimit të disa shërbimeve ndaj qytetarëve, duke harruar se bashkia e drejtuar prej tij, ishte ndër më të prapambeturat në ofrimin e shërbimit dixhital edhe atëherë kur vendi shënoi zhvillimin më të madh sa i takon penetrimi të internetit në institucione, shkolla dhe universitete. Pra, Bashkia e Tiranës gjatë mbretërimit 11 vjeçar të Edi Ramës, nuk i njohu kurrë projektet elektronike, për t’i dhënë akses opinionit publik si dhe ofrimin e shërbimit dixhital, që shkurton në maksimum kohën dhe shpenzimet sikurse rrit transparencën.
I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo. Ai deklaroi se e gjen interesante që Partia Socialiste flet për Shoqërinë e Informacionit, pasi është e hera e parë që Edi Rama merret me këtë çështje. Gjithsesi përvojat nuk janë inkurajuese pasi i vetmi projekt i Edi Ramës në bashkinë e Tiranës për shoqërinë e Informacionit ishte një rrjet ËiFi falas para Piramidës, që nuk zgjati më shumë se një javë. Ndërkohë që të propozosh si alternativë qeverisjeje projekte të Qeverisë, që janë në zbatim si p.sh shëndetësia elektronike (e-health) apo kadastra elektronike, tregon se PS ka shumë rrugë e përpjekje për të bërë për tu shndërruar në një alternativë të konsiderueshme. Por, duke mos u mjaftuar me dokrrat e Ramës në tryezën për telekomunikacionet dhe inovacionin teknologjik, Partia Socialiste iu kundërpërgjigj reagimit të ministrit Genc Pollo. “Pas 7 vjetësh në qeverinë e PD-së dhe pas 3 vitesh në karrigen e Inovacionit, ministri vazhdon të flasë për projekte sepse nuk është në gjendje të tregojë se çfarë është realizuar. Ne kemi prezantuar sot nevojën e përdorimit të ICT-së përmbushje të angazhimeve tona për ngritjen e Kadastërs shumëqëllimshe në funksion të hartimit të Planit të përgjithshëm Kombëtar dhe të zgjidhjes së çështjes së pronësisë. Është për të ardhur keq që ministri që paguhet për t’u marrë me inovacionin nuk kupton se çfarë është kadastra shumë-qëllimshme. Ministri të Inovacionit iu deshën 3 vjet për të kuptuar se duhet një ligj për të dhënat gjeo-hapësinore. Kushdo që e njeh sado pak ICT, e kupton mirë se ligji është hapi i parë për të realizuar çdo projekt që lidhet me territorin”, thuhet në qëndrimin e PS. Gjithsesi, Shqipëria liston sot një seri shërbimesh dixhitale themelore nga prokurimet publike tek targat e makinave, taksat, doganat dhe vazhdon përpjekjet e mëdha për të shtuar numrin e tyre