Ndoka: PDK do dalë nga koalicioni, nëse s’merren parasysh kërkesat për Kodin
Rama, në qendër të sulmeve të ish-aleatëve: Dështoi me Presidentin
Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama gaboi në procesin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Sipas tij, lidershipi socialist i dha më shumë rëndësi zgjedhjes së Avokatit të Popullit se atij të kreut të shtetit. Kryedemokristiani Ndoka thotë se Presidenti i Republikës Bujar Nishani u zgjodh në mënyrë kushtetuese. Për Ndokën, socialistët në të vërtetë nuk ishin të interesuar për një President konsensual, nisur edhe nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat i propozoi vetë. “Zgjedhja e Presidentit të Republikës erdhi nëpërmjet një procesi të komplikuar, por kushtetues. Mazhoranca nuk ishte shumë e qartë, ashtu edhe opozita ishte disi e çoroditur, e papërgatitur: Kërkoi që procesi të respektohej, por nuk mori pjesë asnjëherë në garë. Për fat të keq PS-ja nuk nxori asnjë emër në mënyrë publike, për ta bërë procesin interesant dhe për të marrë pjesë në mënyrë direkte, si shprehje e vullnetit politik dhe detyrimit kushtetues. PS-ja e kërkoi procesin në mënyrë demagogjike, pa seriozitet dhe duke gjetur dhe shpikur arsye për t’u larguar prej tij, për ta lënë mazhorancën vetëm, për t’u përpjekur të fitojë kredo politike nga mungesa e konsensusit. PS-ja u soll me procesin si “veshi i gomarit”: “Çfarë uji i ke dhënë gomarit”? Gjithsesi tashmë kemi një President të ri të Republikës, të gjithë duhet t’i urojmë punë të mbarë dhe ta mbështesim në punën e tij, duke besuar dhe shpresuar, që do të dijë të qëndrojë mbi palët dhe të jetë garant i Kushtetutës. Unë, duke e njohur nga afër z.Nishani, kam besim që do të jetë një President dinjitoz dhe në lartësinë e detyrës në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve”- u shpreh Ndoka. Reforma zgjedhore, është sfida më e afërt e politikës shqiptare. Nard Ndoka deklaron se në qoftë se Partia Socialiste nuk mbështet kërkesa për rishikimin konkret të legjislacionit zgjedhor, atëherë PDK do të largohet nga koalicioni opozitar. “PS-ja do të hyjë e vetme në zgjedhje. Kjo është mendësia dhe dëshira që ekziston tek lidershipi i kësaj partie. PS-ja tenton që të jetë parti e parë, por të vazhdojë të qëndrojë në opozitë. PS-ja sot është e paqartë me ndryshimet dhe përmirësimet e sistemit zgjedhor, i deklaron ato publikisht në mënyrë demagogjike, por vazhdon punën me PD-në në drejtimin e kundërt. PS-ja asnjëherë nuk vendosi veton në Komisionin e Reformës Zgjedhore për premtimet që na kishte bërë neve si aleatë. Në këto kushte nuk besoj, se do të ketë ndonjë forcë politike opozitare, që do të qëndrojë si satelit apo shumatore votash për PS-në. Të paktën ne si demokristianë jemi të qartë, se me PS-në nuk na bashkon më asnjë lloj interesi politik; PS-ja ka zgjedhur rrugën e saj të vetmuar, ne do zgjedhim tonën për aleanca të reja”- tha ai.