Ambasadori Wollfarth: Të mbyllet reforma zgjedhore

Kreu i prezencës së OSBE-së: “Kodi përfundimtar i një cilësie të lartë”
Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth deklaroi dje se forcat politike duhet të respektojnë afatet për përfundimin e reformës zgjedhore. “Deri më tani është bërë punë shumë e mirë për reformën zgjedhore nga komisioni i drejtuar nga dy bashkëkryetarët dhe nga spektri politik. Është një punë e bërë edhe në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in. Është e rëndësishme që të ndërmerren edhe hapat e fundit për përfundimin e reformës zgjedhore”- theksoi Wollfarth. Ai i ka rikujtuar klasës politike shqiptare se duhen mbyllur sa më shpejt puna për reformën parlamentare, atë zgjedhore, si dhe heqjen e imuniteteve. Sipas tij, është shumë e rëndësishme për besueshmërinë e sistemit zgjedhor që të trajtohen dhe të ndërmerren hapat e fundit për të përfunduar reformën zgjedhore. “Dy janë çështjet që duhet trajtohen: ajo e kompozimit të KQZ-së dhe mënyra se si duhet të trajtohen ankimimet, pas përfundimit të zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme të ndërmerren këto hapa të fundit për përmbylljen me sukses të reformës zgjedhore, që të kemi një kod përfundimtar të një cilësie të lartë”, deklaroi ambasadori i OSBE-së, i cili ka shprehur më tej rëndësinë e reformës në gjyqësor si dhe për heqjen e imunitetit të zyrtarëve.
Z. Ambasador, ç’mund të thoni lidhur me reformën zgjedhore?
Përfundimin e reformës zgjedhore do ta shikoja si detyrë parësore për politikën në Shqipëri. Një punë shumë e mirë, e rëndësishme, e gjerë dhe e zgjuar është bërë nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve të të dyja kampeve politike. Kjo punë është bërë në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in, i cili kontribuoi me komente për amendamentet e projektit të Kodit Zgjedhor. Për besueshmërinë e sistemit, është shumë e rëndësishme që tani të hidhen hapat përfundimtarë për të përmbyllur këtë reformë të rëndësishme, përmes trajtimit të çështjeve të fundit të mbetura të hapura. Këto çështje janë në dorë të udhëheqësve politikë, duke filluar nga kryetarët e partive, por janë çështje që lidhen me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe me ankesat gjatë procesit zgjedhor. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të ndërmerren këta hapa përfundimtarë, në mënyrë që të përfundojë me sukses reforma e Kodit Zgjedhor.
Përmbushja e këtyre hapave do të thotë që duhet shtyrë sërish afati për punën e komisionit për reformën zgjedhore?
Është e rëndësishme që të arrihet sa më shpejt në një Kod Zgjedhor të ri cilësor. Afati duhet të jetë afër, por varet se kur do të realizohet puna cilësore të cilën pres të shoh.
A jeni njohur me propozimin e Partisë Socialiste për një KQZ me rotacion dhe me kryetar të emëruar nga institucionet? A ju duket një variant i përshtatshëm për kushtet shqiptare?
Është në dorën e politikanëve kryesorë shqiptarë dhe të ekipeve të tyre të vendosin se ç’është më e mira për Shqipërinë. Ekspertiza dhe qëndrueshmëria janë zakonisht faktorë shumë të rëndësishëm, veçanërisht kur çohen përpara detyra shumë të komplikuara.
Tani që u zgjodh edhe presidenti, a kanë ndonjë justifikim partitë politike që për ta shtyrë pa fund reformën zgjedhore?
Është shumë e rëndësishme që tashmë politikanët mund ta kenë mendjen e lirë dhe të përqendrohen në axhendën e reformave. Nuk bëhet fjalë vetëm për reformën e Kodit Zgjedhor, por edhe për reformën në gjyqësor, atë të rregullores së parlamentit, si dhe reformën e imunitetit të zyrtarëve publikë. Kam besim se të gjithë politikanët kryesorë e kanë kuptuar se sa vendimtare janë ditët dhe javët në vazhdim për të plotësuar të gjitha këto reforma dhe unë do t’i ftoja sërish të përfundonin reformën e Kodit Zgjedhor.
Të rritet pjesëmarrja e grave në politikë
Rritja e barazisë gjinore brenda partive politike ishte në fokus të diskutimeve të një tryeze të rrumbullakët të organizuar sot në Tiranë nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Në veprimtari morën pjesë më shumë se 40 pjesëmarrës nga partitë politike shqiptare, parlamenti, organet e qeverisjes vendore si dhe grupet për nxitjen e pjesëmarrjes së grave, të cilët diskutuan për masat vullnetare që mund të ndërmarrin partitë politike për të promovuar gratë si vendimmarrëse në parti, si udhëheqëse dhe si kandidate për poste zyrtare. “Për arsye të rolit thelbësor në demokraci, partitë politike kanë përgjegjësinë për të paraqitur të gjitha ndryshimet e nevojshme për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë”, tha ambasadori Eugen Wollfarth, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. “Krijimi i mundësive të barabarta për gratë për të qenë pjesëmarrëse të plota dhe aktive në politikë është një faktor kryesor i një shoqërie moderne dhe demokratike”. Sonja Lokar, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Evropës Qendrore dhe lindore për Çështjet Gjinore, vuri në dukje se funksionimi i brendshëm i partive politike ndikon drejtpërdrejt në mundësitë që kanë gratë për t’u bërë kandidate. “Është shumë e rëndësishme që gratë anëtare të partive të kuptojnë procedurat e partisë për rekrutimin, përzgjedhjen e kandidatëve dhe shpërndarjen e burimeve, në mënyrë që ta planifikojnë më mirë karrierën e tyre politike”, tha Lokar. Gjatë diskutimeve, këshilltarja e ODIHR-it për çështjet gjinore, Kristin van der Leest, paraqiti studimin “Barazia gjinore në pozicionet e zgjedhura: një plan veprimi me gjashtë hapa”, i cili nxjerr në pah masat e ndryshme që mund të adoptojnë partitë për të promovuar gratë si vendimmarrëse dhe kandidate. “Partitë politike mund të fusin kuota vullnetare ose synime për kandidaturat e grave, të zhvillojnë plane veprimi për çështjet gjinore ose të ndërmarrin nisma për të mbështetur fushatat e grave që garojnë si kandidate”, tha van der Leest. Tryeza e rrumbullakët do të ndiqet nga një seminar intensiv dyditor, ku do të marrin pjesë 35 gra. Ky trajnim ka për qëllim të rrisë aftësisë drejtuese të kandidateve të partive politike, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.