E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundër, të gjithë

Parregullsitë e shumta, vonesat dhe zbratitë ligjore, të cilat e kanë shoqëruar procesin zgjedhor ende të papërfunduar që nga nëntori i vitit të kaluar, e kanë shtyrë gjithë spektrin politik në Kosovë që të bashkohet rreth idesë për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet dhe për hartimin e një Kodi Zgjedhor.

Përfaqësuesit e subjekteve politike do të bëhen së bashku për të bërë këto ndryshime në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme mos të përsëriten mangësitë dhe problemet në organizimin e zgjedhjeve.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, mendon se në Kosovë kanë dështuar mekanizmat kushtetues në menaxhimin e zgjedhjeve.

“Organet kushtetuese duhet të reformohen përfundimisht. Këtu flas edhe për KQZ’në, edhe për KZAP’në, edhe për komisionet komunale zgjedhore. Sekretariati duhet të forcohet. Duhet të ndërtohen kapacitete jashtëzakonisht të fuqishme, të cilat janë të afta me menaxhua procesin. Kjo sepse Sekretariati i KQZ’së e ka një rol të madh në zbatimin e vendimeve dhe në përgatitjen teknike të zgjedhjeve”, ka thënë ai për Express.

Haziri tha se meqë tashmë dihen ngecjet në procesin zgjedhor, mundet që për një kohë relativisht të shkurtë të bëhen përmirësimet, ngase, sipas tij, shteti tashmë ka infrastrukturën ligjore dhe eksperiencën për t’i bërë këto përmirësime.

“Kosova nuk guxon të hyjë në zgjedhjet e ardhshme pa një kod zgjedhor”, tha ai.

Sipas Hazirit, LDK’ja mbështet idenë e sjelljes së një Kodi Zgjedhor si i domosdoshëm për zgjedhjet e ardhshme.

“Një Kod Zgjedhor i punuar me konsensus do të ndikonte që pjesa e legjislacionit zgjedhor do të jetë e rregulluar, e saktë dhe pa defekte. Kodi Zgjedhor do të definonte edhe çështjen e zonave zgjedhore dhe çështjeve tjera për organizimin e zgjedhjeve”.

Për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje janë të interesuara edhe partitë opozitare.

Ibrahim Makolli, Nënkryetar i AKR’së, tha se ekziston një konsensus i gjerë për ndryshimin e Ligjit për gjedhje për shkak të dështimit të plotë që, sipas tij, ka ndodhur në zgjedhjet e fundit lokale.

“Sistemi zgjedhor në Kosovë duhet të ndryshohet. Gjithashtu duhet të reformohen institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve”, tha ai për Express.

Makolli tha se nevojitet një debat i gjerë publik për çështjen e zonave zgjedhore.

“Kosova nuk mund të hyjë më në zgjedhje vetëm si një zonë zgjedhore për shumë arsye. Sa zona zgjedhore duhet të jenë, kjo është çështje që del nga debati i gjerë dhe konsensusi ndërpartiak. Kushtetuta e Kosovës thotë qartë se në zgjedhje duhet të ketë përfaqësim gjeografik. Gjithë e dimë se tash për tash nuk ka përfaqësim gjeografik, ndërkohë që krijimi i disa zonave zgjedhore do ta përmirësonte këtë gjendje”, tha Makolli.

Edhe Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, mendon se ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet duhet të fillojë sa më shpejt.

Isufi tha të enjten për gazetën se Kosova do të funksiononte më mirë me disa zona zgjedhore.

“Kjo për arsye se edhe deputetët që do të zgjidheshin do të kishin votën e bazës dhe do ta dinin adresën e saktë të llogaridhënies”.

Por, a mund të ndryshohet ky ligj vetëm pse partitë politike kanë vullnet ta ndryshojnë?
Adem Salihaj, Nënkryetar i LDD’së, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, thotë se nevojitet një leje prej ndërkombëtarëve për t’u ndryshuar ky ligj sepse është pjesë e ligjeve të Pakos së Ahtisaarit.

“Për ta amandamentuar një ligj që del nga Pakoja e Ahtisaarit nevojiten dy të tretat e deputetëve në Kuvend, përfshirë këtu plus dy të tretat e deputetëve nga komunitetet pakicë”, tha ai.

“Kosova është e vërtetë që ka nevojë edhe për Kod Zgjedhor dhe amandamentim të ligjit ekzistues, por mendoj se për gjitha këto realisht vendosin shumë edhe ndërkombëtarët. Ata i thonë qeverisë dhe Kuvendit bëje këtë ose atë ndryshim. Nëse ndërkombëtarët nuk e bëjnë këtë, atëherë mund të vazhdojmë edhe në zgjedhjet e ardhshme me këtë infrastrukturë të dobët zgjedhore”, tha ai për gazetën.

Qeveria mbështet ndryshimet për zgjedhjet
Qeveria është e gatshme që të ndihmojë dhe përkrah ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet si dhe për reformimin e mekanizmave zgjedhorë në Kosovë.

“Pas përfundimit të procesit të stërzgjatur zgjedhor, ne besojmë se do të ketë iniciativë për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve përkatëse që rregullojnë sistemin zgjedhor. Tash kur këto ligjet ekzistuese janë provuar në praktikë, është parë qartë se kanë nevojë për përmirësime. Në këtë drejtim do ta kemi mbështetjen edhe nga Komisioni Europian, edhe nga partnerëve tjerë ndërkombëtarë”, tha Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi.
Sipas tij, ndryshimi dhe plotësimi i këtyre ligjeve do të fillojë gjatë këtij viti, por pas përfundimit të zgjedhjeve që ende po vazhdojnë që nga 15 nëntori i vitit të kaluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›