E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabllogramet e Withers, Ina Rama ngre grup të posaçëm hetimi

SHKRUAN: Leonard Bakillari 06-09-2011 14:35

Tiranë: Publikimi i dosjeve të “Wikileaks” për Shqipërinë ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Përgjithshme. Debati i krijuar ditët e fundit, nuk ka lënë pa prekur as institucionin e akuzës, të cilit i është kërkuar nga eksponentë të opozitës, të zbardhë të vërtetat e këtyre mesazheve. Një sërë kabllogramesh informuese, sipas të dhënave paraprake, përmbajnë elemente për një hetim të mundshëm penal, e megjithatë në këtë fazë, sipas burimeve është ende herët për të folur rreth një hetimi penal. Konfirmohet se, me urdhër të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, është ngritur një grup i posaçëm hetuesish, i kryesuar nga drejtori i hetimit dhe ndjekjes penale në organin qendror të akuzës, Sokol Stojani, që do të verifikojë informacionet e publikuara në kabllogramet e ambasadës Amerikane. Grupi i hetimit, që ka si detyrë verifikimin e informacionit dhe sigurimin e elementeve të tjerëm që mund të përmbajnë bazën e mjaftueshme për një hetim penal, përbëhet nga prokurorë dhe hetues të Task- Forcës, si dhe dy prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se ky grup i posaçëm hetimor, ka nisur tashmë nga puna, për verifikimin e një sërë informacionesh që përmbajnë kabllogramet, të cilat kanë të bëjnë me afera të ndryshme korruptive, apo për foljen e disa deputetëve të Kuvendit për lidhjen me krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Burime pranë organit të akuzës, pohuan dje për “MAPO-n” se këto elementë të pasqyruara në kabllograme nuk janë të mjaftueshëm për nisjen e një hetimi penal. Për këtë arsye, fillimisht do të procedohet me verifikimin e informacionit të përcjellë në mesazhet diplomatike, si dhe do të shikohet mundësia e sigurimit të elementëve shtesë, që do të mbështesin këto informacione. Ky proces mund të kërkojë kohë për Prokurorinë, e cila tashmë ka piketuar disa prej kabllogrameve të rëndësishme që hedhin dyshime për elemente të veprës penale. Një prej këtyre kabllogramëve ka të bëjë me shqetësimin e një grupi komandosh, të cilët akuzonin ish-eprorin e tyre, për korrupsion me ushtarët që dërgoheshin në misione paqeruajtëse. Bëhet fjalë për ish-komandantin e Repartit Special të Zall Herrit, Xhemal Gjunkshin, sot shef i Shtabit të Ushtrisë, i cili sipas njërit prej kabllogrameve të ish-mabasadorit Uidhers, akuzohej për korrupsion me oficerët dhe nënoficerët që dërgoheshin me mision paqeruajtës në Irak dhe Afganistan. Gjunkshi është denoncuar në ambasadën Amerikane dhe në disa institucione të rëndësishme në vend, nga një grup ushtarakësh, që e akuzonin se merrte 7 mijë dollarë nga çdo komando që dërgohej me mision. Për këtë fakt, në kabllogramin e ambasadës Amerikane, përmendet edhe një letër që ushtarakët kanë dërguar ndaj eprorit të tyre, madje duke kërcënuar, se kjo letër do t’i dërgohej edhe gazetës prestigjoze “New York Times”. Në serinë e kabllogrameve kompromentuese që po verifikohen nga grupi i posaçëm hetimor, është edhe kabllogrami i ambasadorit Withers, me titull “Kriminelët që bëjnë ligjin në parlament”. Në këtë material, ish-ambasadori amerikan, informon Departamentin e Shtetit se në parlamentin shqiptar janë disa deputetë që dyshohen si të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikantët e narkotrafikut. Një tjetër element, i evidentuar tashmë në morinë e kabllogramëve, është edhe biseda mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj dhe ambasadorit Amerikan, Xhon Withers. Në këtë bisedë, numri një i policies, i ka shprehur shqetësimin diplomatit Amerikan për një nga zëvendësit e tij, për të cilin ambasadori shprehet se spekulohet, se mund të ketë ndihmuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti, për t’iu shpëtuar disa operacioneve të policisë. Çështja Durrës-Kukës, dosja “Gërdeci” apo çështja “Fazlliç”, janë disa nga kabllogramet që kanë tërhequr vëmendjen e hetuesve, duke i përfshirë në një proces të detajuar verifikimi. Të gjitha këto të dhëna, tashmë po i nënshtrohen një procesi verifikimi në Prokurori, i cili pritet të jetë vendimtar, nëse do të ketë ose jo hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›