E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: “Negociatat me Presidentin Topi, vetëm konsultime, jo propozime konkrete”



Partia Socialiste, në vazhdim të negociatave me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar vendosmërinë e saj për hapjen e kutive me qëllim hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe jo ndryshimin e rezultatit në tavolinë të Kolegjit Zgjedhor dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e bëri të ditur kryetari i Asamblesë Kombëtare në PS, Gramoz Ruçi, i cili shoqëroi kreun e PS-së, Edi Rama, në takimin që pati dje në mesditë me presidentin Topi. Sipas Ruçit, negociatat e djeshme me Topin për zgjidhjen e krizës kanë mbetur në rang konsultimesh, pasi nuk ka pasur asnjë propozim konkret nga ana e tij në lidhje me gjetjen e zgjidhjes. Siç ka deklaruar edhe më parë, PS-ja ka argumentuar se rrënjët e kësaj krize nuk qëndrojnë te mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend, por te deformimi i vullnetit të zgjedhjeve dhe shkelja e garancive ligjore gjatë procesit zgjedhor. Sipas socialistëve, marrja parasysh e kërkesave të PS-së nuk do të sillte bojkotin e Parlamentit, por me siguri do të kishte forcuar besimin te ligji dhe institucionet, duke lehtësuar krizën e rëndë të shtetit të së drejtës.
Deklarata
Pas takimit me presidentin Topi, Ruçi ka argumentuar se hapja e kutive dhe transparenca e plotë e zgjedhjeve është një detyrim që është përcaktuar dhe nga Asambleja e Këshillit të Europës në Rezolutën për Shqipërinë. “Siç është bërë e dituar, zoti Rama, i shoqëruar nga unë, ishte në një bisedë me zotin Topi. Në këtë takim zoti Rama i paraqiti dhe njëherë presidentit se PS-ja është e vendosur për të zbatuar Rezolutën e KiE-së, veçanërisht pikën shtatë, e cila kërkon komisionin hetimor në përputhje me Kushtetutën dhe kthimin e PS-së në Kuvend”, - u shpreh Ruçi. Kreu i Asamblesë së PS-së, Ruçi, komentoi se PS-ja nuk mund të bëjë hapa mbrapa në lidhje me objektin e hetimit. Ai ka kërkuar që objekti i hetimit të përfshijë edhe hapjen e kutive. “Problem është objekti i hetimit. PS-ja edhe njëherë shpalosi se jemi dakord me interpretimin që i bëri Gjykata Kushtetuese Nenit 73. Në qoftë se do të vihen kufizime për hetimin e problematikës që kemi shtruar, atëherë s’kemi hetim”, - u shpreh Ruçi.
Hetimi
Duke iu referuar edhe memorandumit të PS-së, përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar ka lidhje me çështje të tilla si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës elektorale për personat e dënuar për vepra penale. PS-ja ka kërkuar fillimisht që qeveria të manifestojë pa humbur kohë gatishmërinë e saj publike për të garantuar një hetim parlamentar të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe nga ana tjetër, opozita parlamentare duhet të reagojë menjëherë më pas me deklarimin publik të përfundimit të bojkotit dhe kthimin e saj në Kuvend. Sipas PS-së, qeveria duhet të shprehë vullnetin e qartë për të garantuar të drejtën kushtetuese të hetimit të procesit zgjedhor.

Prezantohet dokumenti për “Politikat në sektorin e komunikimeve elektronike”

Ditën e djeshme u organizua konferenca për “Politikat në sektorin e komunikimeve elektronike”. Qëllimi i këtij eventi ishte prezantimi i dokumentit të politikave të qeverisë për të ardhmen e sektorit të komunikimeve elektronike si dhe të planit përkatës të zbatimit. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të qeverisë, donatorë si dhe grupe të ndryshëm të interesit. “Sot Shqipëria ka një penetrim të telefonisë celulare në mbi 100%, shifër gati e njëjte kjo me mesataren e BE-së prej 111%. Përdorimi i internetit është shtuar ndjeshëm, kemi shënuar rritjen më të shpejtë në Evropë dhe këtë e tregon me së miri shumëfishimi 30 herë brenda një viti i lidhjeve ADSL, ofrimi i internetit në shkolla, në masën 100%, në sajë të një programi të Qeverisë, të iniciuar në vitin 2006, rritja e numrit të ofruesve të shërbimit të internetit dhe pa dyshim ofrimi i shërbimit internet përmes teknologjisë mobile GPRS dhe EDGE, që ka rritur ndjeshëm dhe numrin e përdoruesve të internetit”, - u shpreh ministri i Shtetit, Genc Pollo. Ai tha se dokumenti i ri për “Politikat në sektorin e komunikimeve elektronike” përcakton strategjinë afatmesme të Qeverisë për zhvillimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë.

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›