Kriza politike, Presidenti Topi, axhendë të ngjeshur takimesh
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pasur dje një axhendë të ngjeshur takimesh në kuadër të përpjekjeve që ai ka ndërmarrë për të gjetur zgjidhjen e krizës politike në vend dhe për t’i dhënë fund bojkotit të Kuvendit nga opozita. Në këtë kuadër, kreu i shtetit është takuar dje rreth orës 10:00 me ambasadorin e Spanjës, që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Manuel Montobio, si dhe me ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Me dy ambasadorët presidenti Topi ka zhvilluar bisedime për më shumë se një orë. Pas takimit dy ambasadorët nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e bisedës me kreun e shtetit. Megjithatë, sipas burimeve, presidenti mësohet se i ka informuar dy ambasadorët në lidhje me tryezën e zhvilluar ditën e shtunë mes tij dhe dy krerëve të partive kryesore politike në vend, Berisha dhe Rama. Mësohet se kreu i shtetit i ka informuar dy përfaqësuesit e lartë të Brukselit në lidhje me qëndrimet dhe kërkesat e secilës parti. Ata kanë biseduar për gjetjen e mundësive për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik në vend, si dhe për hapat që do të ndërmerren. Pas takimit me dy ambasadorët, rreth mesditës, presidenti Topi ka pritur në Presidencë kryetarin e PS-së, Edi Rama, i cili është shoqëruar nga kryetari i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi. Ky takim ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta. Më pas, rreth orës 14:30, presidenti Topi ka pritur në zyrë kryeministrin Berisha. Zyra për shtyp e Presidencës ka njoftuar se këto takime janë bërë në kuadër të vazhdimit të dialogut mes palëve dhe gjetjes së pikave të përbashkëta.
Dy ambasadorët, Montobio dhe Lohan, kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në zgjidhjen e krizës politike në vend dhe në fillimin e negociatave mes palëve. Ata kanë inkurajuar nismën e presidentit Topi për të zhvilluar tryezën e dy krerëve të lartë të politikës shqiptare. Gjithashtu, dy ambasadorët, Lohan dhe Montobio, kanë zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me kryetarin e PS-së Rama dhe me kryetarin e PD-së, Berisha, kohë më parë. Presioni i tyre, por edhe qëndrimi që kanë mbajtur ambasadorët e tjerë në vendeve të rëndësishme në BE-së në Shqipëri kanë qenë mjaft të rëndësishme në fillimin e negociatave për zgjidhjen e krizës politike në vend. Mësohet se edhe gjatë takimit të djeshëm në Presidencë dy ambasadorët kanë mbështetur kreun e shtetit shqiptar në hapat që ai po ndjek për të zhbllokuar situatën politike në vend.
17 Shkurt 2010