E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: “Berisha spekulon me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për moshapjen e kutive”



Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, deklaroi dje se kryeministri Sali Berisha po spekulon me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos hapur kutitë. Në këtë kontekst, Tahiri sqaron kryeministrin se PS-ja nuk kërkon që të dalë
mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por i kërkon kryeministrit Berisha dhe maxhorancës t’i lejojë të zbatojnë Kushtetutën, ligjin dhe Rregulloren e Parlamentit. “Fshehja mbas gjoja vendimit të gjykatave është një spekulim i Sali Berishës për të mbuluar mungesën e vullnetit për të zgjidhur krizën politike dhe institucionale që nuk e kemi shpikur ne, por ekziston e plotë për shkak të vetë Sali Berishës. Partia Socialiste e ka njohur plotësisht vendimin e Gjykatës përderisa ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, rezultat të cilin ne nuk kërkojmë ta ndryshojmë, ashtu siç nuk kërkojmë as të shqyrtojmë nëse Gjykata ka vepruar drejtë, apo jo”, - u shpreh deputeti Tahiri. Ai theksoi se pushteti i opozitës për të hetuar nëpërmjet komisionit parlamentar është institucionalizuar si kompetencë kushtetuese, duke e detyruar maxhorancën të mos ia nënshtrojë diskutimit dhe votimit parlamentar nismën e opozitës. Duke respektuar forcën e ligjit, Tahiri nënvizoi se pavarësia dhe liria e hetimit përtej çdo kufizimi të imponuar nga vullneti i shumicës parlamentare, janë parime kushtetuese të afirmuara pikërisht për t’i garantuar opozitës hetim të plotë e të pakushtëzuar. “Parlamenti është institucioni i vetëm me atributin kushtetues për të shqyrtuar zbatimin korrekt të legjislacionit (në këtë rast zgjedhor), evidentimin e parregullsive, identifikimin e përgjegjësive administrative dhe institucionale, si dhe ndërmarrjen e iniciativave ligjore për parandalimin e përsëritjes së zgjedhjeve të manipuluara në të ardhmen”, - u shpreh deputeti Tahiri.

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›