Mançesteri, leksion Milanit
Milani pësoi një humbje të hidhur në “San Siro”, në një supersfidë e hapur dhe e mbyllur me golat e kuqezinjve, me Ronaldinjon e Sedorfin, por e fituar dhunshëm 3-2 nga Mançester Junaitid, e me një hero të vetëm në fushë, sulmuesin anglez Uejni Runin, autorin e një dopjete identike për nga mënyra e realizimit, e me Devid Bekhamin e zëvendësuar. Mançesteri shënoi një gol në “San Siro” pas 52 vjetësh, madje tre të tillë, dhe për të fituar në Milano. Mançester Junaitid hodhi një gjysmëhapi drejt çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve pas fitores në transfertë kundër Milanit, 7-herë fitues të këtij kompeticioni. Një fillim magjik për klubin e presidentit Silvio Berluskonit, Aleksandër Pato fitoi një goditje të lirë në minutën e 3-të dhe pas vetëm pak sekondash, Ronaldinjo tregoi klasin e tij duke realizuar golin e parë të Milanit me një djathtë të ëmbël tipike braziliane e duke mposhtur portierin me përvojë, holandezin Van der Sar.
Në minutën e 8-të, Pol Skols dha sinjalin e parë me një gjuajte nga jashtë zonës pas një kombinimi me Darren Fletçer. Dhjetë minuta më pas ishte radha e Uejni Runit për të shenjestruar portën e Milanit të mbrojtur nga Dida. Dhe serish pas punës paraprake të kryer nga Pol Skols. Minutat e tjera paraqesin përpjekjet e Huntelarit të Milanit dhe Nanit të Mançesterit.
Holandezi Klas Jan Huntelar, në formë në ndeshjet e fundit me Milanin, goditi në të 32’ me një të djathtë potente, por gjuajta e tij u bllokua. Pas një presioni “shtypës” të Mançester Junaitid, Pol Skols shënoi golin e barazimit në minutën e 36-të, me një gjuajtje me të majtën pas një harkimi të Darren Fletçerit. Gol që i çoi të barabarta të dyja skuadrat në dhomat e zhveshjes, pavarësisht përpjekjes së Ronaldinjos në minutën e 41-të me një goditje më të djathtën pas asistit të Devid Bekamit. Fraksioni i dytë i ndeshjes nisi me goditjen me kokë të Darren Fletçerit të Mançesterit pas krosimit të Nanit, por edhe me përgjigjen me të të njëjtën monedhe të Aleksandër Patos së Milanit pas harkimit të Xhuzepe Favalit. Minutat në vazhdim sjellin përpara portave kundërshtare si Uejni Runin përballë Didës ashtu dhe Ronaldinjon përballë Van der Sarit, derisa do të vinte minuta e 66-të, kur anglezi Uejni Runi do të shënonte me kokë nga shumë afër golin e dytë për “Djajtë e kuq” të Mançesterit, pas një krosimi të Antonio Valensias. Vetëm dy minuta pasi Klarens Sedorf hyri në vend të Devid Bekhamin, Uejni Runi kopjoi golin e tij të parë, kur shënoi në minutën e 74-t sërish po me kokë rrjetën e tretë të Mançesterit në “San Siro”. Milani nuk u dekurajua dhe Klarens Sedorf dëshmoi pjekurinë e tij si veteran i Ligës së Kampioneve, kur pas një asisti të Ronaldinjos me një të majtë të hidhur shënoi golin e dytë për skuadrën e tij në minutën e 85-të. Një minutë më pas provoi edhe Filipo Inzagi pas pasit të Ronaldinjos, por përpjekja e “Super-Pipos” rezultoi jo efektive. Milani është përballë një misioni të pamundur për të kaluar raundin e “vdekjes”, pasi kuqezinjtë nga Milano i pret një ferr i vërtetë në “Old Trafford”, pasi ju nevojitet një fitore me të paktën dy gola diferencë.
Lion –Real 1-0
Delgado i Lionit goditi shtyllën në minutën e 40-të, teksa portieri i Realit të Madridit, Iker Kasijas vetëm sa pa sferën të përplaset në traun vertikal të portës. Kamerunasi Zhan Makun pas vetëm dy minutash lojë në pjesën e dytë realizoi një gol të jashtëzakonshëm, me një goditje të mrekullueshme nga rreth 25 metra, duke lënë gojëhapur portierin më të mirë në botë. 1-0 për Lionin në “Gerland”. Alesandro Lopez ishte pranë golit të dytë në të 59’, por e gjitha puna e tij e bukur u bë e pavlefshme pasi goditja përfundoi jashtë kuadratit të portës madrilene. Trajneri i Realit të Madridit, Manuel Pelegrini, hodhi në fushë e edhe ish-sulmuesin e blerë nga Olimpiku i Lionit, por shifrat nuk ndryshuan, edhe pse blerjet e shtrenjta, Kristiano Ronaldo dhe Kaka, u përpoqën shumë. Në minutën e 72-të, Kristiano Ronaldo fitoi një goditje të lirë në afërsi të zonës, por topi u përplas në murin e francezëve, duke shpërdoruar mundësinë e artë. Serxhio Ramos pati një tjetër mundësi në minutën e 80-të, por gjuajtja e madrilenit përfundoi jashtë kuadratit. Ndeshja e kthimit në “Santiago Bernabeu” mund të shndërrohet në një makth të vërtetë për Realin e Madridit, pasi i duhet të fitojë me të paktën diferencën e dy golave.
17 Shkurt 2010