Topi vazhdon përpjekjet për zgjidhjen e krizës, Berisha nuk ndryshon qëndrim
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vazhduar gjatë ditës së djeshme përpjekjet intensive për të gjetur zgjidhjen e krizës politike në vend. Pas takimeve me ambasadorët Lohan e Montobio, si dhe pas takimit me kryetarin e Partisë Socialiste, Rama, presidenti Topi priti dje në Presidencë, në një takim kokë më kokë, kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Ndryshe nga takimet e mëparshme që zgjatën më shumë se një orë, takimi midis presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha ka zgjatur më pak se një orë, vetëm 50 minuta. Në këtë takim kryeministri shoqërohej nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Pas takimit Berisha bëri të ditur për gazetarët se është i gatshëm që të gjejë zgjidhjen e çështjeve bilaterale mes PD-së dhe PS-së, duke e mos e konsideruar si të tillë kërkesën e PS-së për hapjen e kutive. Kjo kërkesë edhe një ditë më parë është konsideruar nga kryeministri Berisha si një çështje që u përket PS-së dhe gjykatave dhe mund të zgjidhet vetëm nga këto dy subjekte. Edhe pas takimit të djeshëm me Topin, qëndrimi i kryeministrit u duk i pandryshuar përsa i përket kërkesës kryesore të Partisë Socialiste.
Qëndrimi
“Jemi të hapur për shqyrtimin e problemeve të lidhura me procesin zgjedhor. Jemi të gatshëm për dialog dhe për zgjidhjen e problemeve bilaterale. Riafirmuam qëndrimin tonë të vendosur që të mbetemi të hapur për dialogun, të mbetemi të hapur për shqyrtimin e të gjitha problemeve të lidhura me procesin zgjedhor, të cilat kualifikohen si probleme bilaterale. Presidenti po vazhdon të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergimeve midis palëve”, - bëri të ditur Berisha pas takimit me presidentin Topi.
Vetëm një ditë më parë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha sugjeroi PS-në që t’i drejtohet gjykatës përsa i përket kërkesës për hapjen e kutive të votimit. Ai tha se problemet që opozita ka me gjykatën nuk duhen bërë probleme të opozitës me qeverinë. “Garantoj edhe njëherë opozitën se mbetem i hapur dhe në qoftë se ne biem dakord, çështjet e gjykatave nuk janë midis nesh, por janë të secilit me gjykatën, çështjet e tjera janë plotësisht të trajtueshme dhe të zgjidhshme”, - është shprehur Berisha. Shefi i Ekzekutivit u shpreh i hapur të pranojë çdo kërkesë tjetër të opozitës, si dhe shprehu gatishmërinë për të ngritur sa më parë komisionin hetimor parlamentar për procesin zgjedhor të 28 qershorit. “Duke e garantuar opozitën se jam i hapur të shqyrtoj çdo kërkesë që është midis nesh, theksova se kurrë ndonjëherë nuk e kam konsideruar dhe nuk e konsideroj çështje bilaterale çështjen e vendimeve gjyqësore. Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë që palët t’i drejtohen asaj, por vendimi i tyre sapo jepet nuk është më problem ndër-palësh, por është problem vetëm me gjykatën. Unë nuk i kam kërkuar asnjëherë, askujt, të trajtojë problemet tona me gjykatën. Ju e keni dëgjuar opozitën të citojë 17 vendime kundër qeverisë dhe ne s’i kemi kërkuar asnjëherë opozitës të bëjmë diçka kundër këtyre vendimeve, sepse ato janë vendime të gjykatave, nuk ka përgjegjësi opozita. Ka qenë dhe do të jetë kështu derisa gjykatat janë të pavarura dhe të mos i bëjmë vegël të Ekzekutivit, që s’mund të bëhen kurrë”, - është shprehur Berisha.
Presidenti
Ndërkaq, Presidenca ka njoftuar dje se kreu i shtetit do të vazhdojë negociatat me palët deri në gjetjen e pikave të përbashkëta për t’i dhënë zgjidhje situatës politike në Shqipëri. “Presidenti i Republikës, Prof. dr. Bamir Topi, zhvilloi sot takime me kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan, me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me cilësinë e vendit që ka Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, me kryeministrin e njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Këto takime u thirrën nga kreu i shtetit shqiptar në vijimësi të tryezës politike të së shtunës dhe të kërkimit e gjetjes së pikëtakimeve mes pozitës dhe opozitës. Këto takime, që synojnë vazhdimin e dialogut të nisur në tryezën e ditës së shtunë”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
“Ngrijnë” negociatat, Topi udhëton sot drejt Kroacisë
Gjatë ditës së sotme, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të udhëtojë drejt Kroacisë në një vizitë zyrtare. Gjatë qëndrimin në Zagreb, Topi do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri kroat, Ivo Josipoviç, gjithashtu do të ketë takime bilaterale me homologë të tij nga rajoni, me komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Politikën Rajonale, Shtefan Fyle, si dhe me nënsekretarin e Shtetit amerikan, Xhejkob Lju.
17 Shkurt 2010