E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruci: Nuk e njohim Cefën në KLD, Patozi: S'lejuam bllokimin tuaj

TIRANË- Gramoz Ruci, kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në një komunikim me mediat, bëri me dije gjithcka që ndodhi sot në sallën e Kuvendit, ku u votua Elvis Cefa si anëtar i KLD.

Ai e cilësoi deklaratën e kryeparlamentares Topalli si një fletërrufe të 30 viteve më parë, ndërsa sqaroi se, kish rënë më parë dakord me homologun e tij Patozi për formën dhe mënyrën e votimit, e cila sic tha ai, nuk u respektua.
"Gjatë komunikimit kryetari i grupit bisedoi me mua për formën dhe mënyrën e votimit, Ramë dakord që fletët e votimit të vulosen para se te merreshin nga deputetet, ndërsa më pas kërkuan që firma të hidhet kur deputeti të tërheqë fletën". Këtu sipas Rucit nisën edhe debatet. Ai sqaron se procedura e kërkuar nga PD ishte e padrejtë pasi identifikon votuesin.

Ruci sqaroi më tej se pse PS doli kundër votimit në kuti.
“Në kushtet kur të gjithë deputetët ishin në këmbë, kryetarja e Parlamentit pa bërë prezencën e deputetëve, pa ç’bërë atë mënyrë votimi që vendosi në fillim të seancës, pa miratuar mënyrën e re të votimit, pa bërë prezencën e deputetëve hapi votimin, duke hedhur në votë kandidatin e propozuar nga PD pa hedhur në votë kandidatin e PS”, tha Ruci.

Kreu i Grupit të PS shtoi më pas se, urdhrin për ta kthyer votimin në elektronik e dha kryeministri Berisha. Ruci akuzoi më tej se ky ishte një ndryshim i momentit të fundit, për të vjedhur votat, sic shtoi ai. 
Për Rucin, e forcën politike që përfaqëson zgjedhja e Elvis Cefës në KLD është bërë në mënyrë jo ligjore, prandaj ai theksoi se nuk do ta njohin atë.
"Çdo produkt parlamentar që del nga një proces jo ligjor, jo kushtetues është i papranueshëm, morëm vesh se vota iu është vjedhur edhe ministrave... Nuk mund të them se cfarë hapash duhet të merren, nuk është produkt sipas normave, për ne s’ka se si të njihet Cefa në KLD”, tha ai. 

I pyetur për deklaratat e kryeministrit në lidhje me 21 janarin, Ruci u përgjigj: "Kanosja e parë që më është bërë mua dhe grupit parlamentar ka qënë, “Ti, ju e keni provuar në 21 janar. Kjo ka qënë shprehja që ka artikuluar më 21 janar”, tha ai.

PATOZI: PARANDALUAM BLLOKIMIN QË PS DO BËNTE NË KUVEND
Edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi bëri me dije për mediat zhvillimet në kronologjike në Kuvend.

Sipas tij, Kuvendi sot i qendroi strikt rregullores së tij duke “caktivizuar përpjekejn e dhunshme për të bllokuar votimin e për postin e KLD”, tha ai. 

Patozi sqaron se, “Është e vërtetë që rashë dakord me Rucin për kohën dhe mënyrën e votimit, kjo ka ndodhur se unë doja të plotësoja vullnetin e opozitës... Jam njohur fillimisht me një pretendim, që më është dukur jashtëtokësor, të përfaqësuesit të opozitës në komisionin e procedurave të votimit, sipas të cilit, fleta nuk duhet të firmosej nga anëtarët dhe se ajo duhet të kishte vetëm vulën e Kuvendit.  Mendova fillimisht se është një bllof apo lojë e zakonshme parlamentare, dhe se pas kësaj gjithçka do të shkonte ashtu siç ka ndodhur në këto 22 vjet. Por nuk ishte e thënë. Pak minuta më vonë të njëjtin shqetësim ma ka shprehur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, zoti Gramoz Ruci, i cili, përveç frikës nga firma, më ka shtuar edhe variantin e dytë, atë të firmosjes paraprake të të gjitha fletëve të votimit. ”, tha Patozi duke sqaruar se kjo është si të shpikësh një procedurë të re.

“Nuk po zgjedhim Papën e Romës, pse të shpikim procedura të reja. Me kaq është mbyllur argumenti im, rreth dy minuta më vonë i kam parë ata në sallë që s’lejuan kryeministrit të votojë”, tha Patozi.

“Në këto kushte dhe rrethana, Kuvendi i Shqipërisë u detyrua të procedonte me votim elektronik. Donim të pengonim kolapsin që donte të bënte PS”, komentoi më tej Patozi. 

Patozi i kujtoi homologut të tij se “Parlamenti nuk është kazino dhe as sallë kumari, është institucioni i parë i vendit”.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Topalli: PS dhunë të qëllimshme Parlamentit dhe shtetit ligjor VIDEO: Ruci në mbledhje grupi PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›