E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat, “lojë ping-pongu” gjobës së Shalsit

12/04/2012  Apeli kthen për rishqyrtim 1 milionëshin që e kishte fituar Albana Vokshi

Gjenden shkelje procedurale pas 11 seancave gjyqësore në 2 vite

Gjoba prej 1 milion lekësh të reja ndaj Eduard Shalsit që ja fitoi Albana Vokshi, tashmë është kthyer në një seancë ping-pongu mes gjykatave. Apeli në Tiranë e ktheu për rishqyrtim vendimin e gjykatës së shkallës që e dënonte Shalsin. Si argument mbetet më i fortë ai i shkeljeve të procedurave. Pra, u deshën plot 11 seanca gjyqësore nga Gjykata e Shkallës së Parë që Apeli ta cilësonte si shkelje procedurale. Për deputetin Shalsi gjykata e Tiranës dha një gjobë prej 1 milion lekësh të reja korrikun e vitit të kaluar. Vendimi gjyqësor i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë detyron deputetin Shalsi të dëmshpërblejë Albana Vokshin me shumën në fjalë. Vendimi për gjobën ndaj Shalsit është shpallur nga gjyqtarja Elona Gjoka, e cila shqyrtoi padinë e palës së dëmtuar në këtë proces. Pas 11 seancash gjyqësore, gjykata ka vlerësuar pranimin e kërkesë-padisë për “shpërblim dëmi jopasuror” të depozituar nga deputetja e PD, Albana Vokshi. Sipas vendimit të gjykatës, deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, është i detyruar t’i paguajë koleges së tij të Kuvendit një shumë prej 1 milion lekësh. Sipas gjykatës, kjo shumë do të jetë në shpërblim të dëmit që Shalsi i ka shkaktuar Vokshit nga përhapja e fakteve të pavërteta rreth saj. “Gjykata vendosi pranimin e kërkesë-padisë. “Trupi gjykues caktoi edhe detyrimin e të paditurit Eduard Shalsi, të shpërblejë dëmin e shkaktuar nga përhapja e fakteve të pavërteta karshi paditëses Albana Vokshi, duke e cenuar atë në nderin, dinjitetin dhe reputacionin e saj, në masën 1 milion lekë të reja”, thuhej në dispozitivin e vendimit të gjykatës. Objekt i padisë ishte “shpërblimi i dëmit jopasuror”. Vokshi pretendonte se nga deklaratat mediatike të deputetit Shalsi asaj i ishte cenuar dinjiteti dhe reputacioni.

Përmbajtja e padisë

Padia u depozitua më 17 shtator të vitit 2010. Aty pretendohej se Vokshi nuk e kishte deklaruar pasurinë e Arian Tartarit, pasi ai nuk është bashkëshorti i saj, por bashkëjetues dhe disa koncesione të përfituara nga bashkëjetuesi i saj ishin përfituar në përputhje me procedurat e parashikuara nga ligji. Referuar padisë, në asnjë rast nuk ishte vërtetuar ligjërisht se paditësja Vokshi ka “abuzuar me detyrën” duke ushtruar ndikim për të përfituar koncesionet.

Edhe 8 në listë

Në të njëjtën kohë me padinë ndaj Shalsit, deputetja Vokshi paditi në gjykatën e Tiranës edhe nëntë deputetë të tjerë të PS-së, po për padi “shpërblim dëmi jopasuror”. Këto padi janë duke u shqyrtuar në procese të veçanta në gjykatë. Paditë e Vokshit erdhën pas deklaratave të deputetëve të majtë. Vokshi ka hedhur poshtë akuzat se ajo vetë dhe bashkëshorti i saj janë të lidhur në korrupsionin me lejet e ndërtimit apo koncesionet e naftës në vend.

Gjoba ndaj Braçes

Gjykata e Tiranës ka gjobitur më 9 shkurt me 1 milion lekë deputetin e Partisë Socialiste, Erion Braçe për shpifje ndaj deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshit. Vokshi në kërkesë-padinë pretendonte se shpifjet në emrin e saj i kanë cenuar dinjitetin e saj dhe të familjes. Ajo i referohej deklaratave në të cilat emri i Vokshit përmendet si e përfshirë në afera korruptive duke abuzuar me detyrën dhe duke ushtruar ndikim për të përfituar koncesionet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›