E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet TV A1, KESH injoron vendimin e ERE-s

Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë (KESH) dje, për të katërtën ditë rresht, refuzoi të zbatonte vendimin e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për të rilidhur energjinë për Televizionin A1 në ambientet e ish-Kinostudios. Ndërsa që më 26 janar 2008 pritej që punonjësit e KESH-it të vinin për të rilidhur energjinë e ndërprerë që në mesditën e 13 dhjetorit 2007, edhe dje punonjësit e KESH-it nuk erdhën për të rilidhur energjinë. Dje në mesditë gjeneratori që kishte mbajtur me energji non-stop, prej mesditës së 13 dhjetorit 2007, pra për 46 ditë, pësoi defekt ,duke lënë pa energji studiot e Televizionit A1. Enti Rregullator i Energjisë kishte urdhëruar KESH-in, në 25 janar 2008, që të rilidhte energjinë elektrike në studiot e Televizionit A1. Vendimi u dha një javë pas zhvillimit të një seance dëgjimore mes përfaqësuesve të Televizionit dhe KESH-it. Në vendimin që ERE i drejtoi z.Gjergji Bojaxhi, Drejtor i Përgjithshëm i KESH-it, deklaronte se faturimi i bërë nga KESH-i, me faturë aforfe është i pabazuar në ligj, sepse ai lejohet vetëm kur matësi është jashtë kushtit teknik, ose i dëmtuar. Përsa i takon pasaktësisë në matjen e energjisë së konstatuar nga kontrolli i KESH-it, ERE vëren se nga ana e KESH-it nuk është vepruar në përputhje me Kodin e Matjes, ku përcaktohet se kur konsumatori ka paguar më pak për shkak të gabimit në matje, atëherë ai detyrohet të paguajë vlerën e mbetur për 12 muajt e fundit. Përsa i përket shumës së vendosur, ERE vërejti se ajo duhej të ishte negociuar me konsumatorin për mënyrën e shlyerjes së saj. Për këto arsye ERE i kërkoi KESH-it, rilidhjen e furnizimit me energji elektrike të TV A1, rregullimet për pasaktësinë në aparatin e matjes të kufizohen vetëm në periudhën e fundit 12-mujore ndërsa KESH-i dhe TV A1 të bien dakord për mënyrën e shlyerjes së vlerës. ERE kishte ndërmjetësuar edhe herën e kaluar në nëntor 2007, kur për tre javë pallati te ish- Blloku ishte lënë pa energji pas dëmtimit të kabinës elektrike, e cila ishte refuzuar për t'u riparuar nga ana e KESH-it. Protestat Me protestat e Televizionit A1 ishte bashkuar një pjesë e madhe e opinionit publik, shoqatat e gazetarëve dhe të partive politike. Parti të opozitës kishin kërkuar tërheqjen e qeverisë nga vendime që dhunojnë lirinë emedias, ndërsa shoqatat e gazetarëve jashtë vendit, kishin kërkuar një zgjidhje të shpejtë të gjendjes së rëndë ku ndodhej televizioni A1. Në një deklaratë të katër ditëve më parë të Organizatës Ndërkombëtare të Gazetarëve "REPORTERË PA KUFIJ", thuhej se: "Stacioni televiziv A1 është zënë në vështirësi, që kur kompania shtetërore KESH, krejt papritur i kërkoi të paguante 32 mijë euro, më 14 dhjetor, duke pretenduar se gabimet në automatin e instaluar dhe mirëmbajtur prej KESH e kishin bërë televizionin të faturohej më pak. Duke e akuzuar KESH-in për zhvatje, A1 TV refuzoi të paguante. Ndaj edhe iu ndërpre energjia, ndërsa stacioni përdori gjeneratorët e vet për të vazhduar punën, duke harxhuar fatura të mëdha karburanti, që shkaktuan probleme financiare. A1 Televizion e ka çuar çështjen në gjyq, ndërkohë që interesat e gjoja-borxhit që i ka paracaktuar KESH-i e kanë çuar vlerën në 50 mijë euro. Stacioni televiziv e ka referuar çështjen tek Enti Rregullator i Energjisë, një supervizor i qeverisë që arbitron çështje të tilla. Vendimi i tij pritet të merret brenda pak ditësh. Gazeta "Shekulli", lider në tregun e shtypit, ashtu si A1 TV, me botues grupin mediatik "Spektër", është privuar nga energjia për një muaj, në tetor, për arsye të njëjta. Drejtoresha e kompanisë "Spektër", Brixhida Kokëdhima i ka komentuar të dyja rastet si presion indirekt i qeverisë së kryeministrit Sali Berisha, që siç shprehet ajo, nuk e çmojnë pavarësinë editoriale të këtyre mediave". Televizioni A1 ndërpret transmetimet Prej datës 13 Dhjetor, Korporata Energjetike Shqiptare i ndërpreu energjinë Televizionit A1, pasi ky televizion nuk pranoi të paguante një faturë afrofe e cila, plus interesat kapte vlerën e 50.000 (pesëdhjetëmijë) eurove. Nga ky moment TV A1 ka transmetuar nëpërmjet gjeneratorit, i cili sot pas 45 dite pune "non-stop" pësoi defekt të pariparueshëm. Drejtuesit e KESH bëhen fajtorë me dashje për këtë ndërprerje, pasi ndonëse kanë një urdhër të formës së prerë nga Enti Rregullator i Energjisë i cili e ka konsideruar faturën afrofe të paligjshme dhe ka kërkuar rilidhjen e energjisë, vazhdojnë të mos e sjellin energjinë. Ne jemi të bindur se zoti Bojaxhi është duke abuzuar me detyrën, me të vetmin motiv: ushtrimin e presionit politik, për të ndikuar politikat editoriale të mediave të 2K Group. Ky nuk është rasti i parë që z.Bojaxhi sulmon direkt apo indirekt mediat e 2K Group për të ushtruar presionin e radhës, që ia diktojnë shefat e tij në Qeverinë Shqiptare. Në muajin nëntor KESH la pa drita për 3 javë rresht gazetën "Shekulli". Vetëm 30 minuta ju deshën specialistëve të KESH që pas urdhrit të ERE-s ta rregullojnë atë që e quanin "defekt i rëndë". Që prej muajit Gusht 2007, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vazhdon të lërë pa drita ndërmarrjen PMNElbasan duke nxjerrë në mes të katër rrugëve mbi 50 punëtorë. Kjo ndërmarrje e zotëruar në masën 51% nga 2K Group dhe 49% nga shteti shqiptar, ka fituar gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë i cili e quan të paligjshme ndërprerjen nga ana e KESH. Megjithatë KESH refuzon të lidhë energjinë. Televizioni A1 nëpërmjet kësaj deklarate, gjen rastin të falënderojë Organizatën "Reporterët pa Kufij" dhe Organizatën Botërore të Gazetave për mbështetjen, duke i siguruar këto organizma se Qeveria Shqiptare mund t'i mbyllë këto media, por nuk do t'i detyrojë kurrë të gënjejnë. Tiranë 28.01.2008Brixhida Kokëdhima Drejtore e Shoqërisë Ligji, si i zgjidh ERE Mosmarrëveshjet Ligji Nr.9072, datë 22.5.2003 "PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE" (me ndryshimet dhe shtesat sipas Ligjit nr.9512, datë 10.04.2006 "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.9072, datë 22.05.2003 "Për sektorin e energjisë elektrike") NENI 9 Kundër vendimit të Bordit të ERE-së mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata gjykon vetëm mbi ligjshmërinë ose themelësinë e vendimit të Bordit dhe mund të vendosë anulimin pjesërisht ose tërësisht të vendimit, kur nuk e gjen të bazuar në ligj. NENI 8 ERE zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet të licencuarve dhe konsumatorëve dhe ndërmjet të licencuarve; NENI 64 Shkeljet, (ndër të cilat edhe moszbatimi i vendimeve) kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen nga ERE. Vendimi i ERE: Ja shkeljet ligjore të KESH REPUBLIKA E SHQIPERISE ENTI RREGULLATOR I SEKTORIT TE ENERGJISE ELEKTRIKE Departamenti i Lecencave dhe Monitorimit Nr.28/3 Prot.Tiranë më 25.01.2008 Lënda: Trajtim ankesë Drejtuar: Z.Gjergj Bojaxhi Drejtor i Përgjithshëm i KESH sh.a Për dijeni: TV Ballkan Sha Rr.Aleksandër Moisiu, Nr.76.Tiranë Z. Bojaxhi Me shkresën fir.670, datë 24.12.2007, Shoqëria Mediatike "Ballkan Sh.a" ka paraqitur ankesën e saj pranë ERE-s, në lidhje me ndërprerjen nga ana e KESH Sh.a., të furnizimit me energji elektrike për Televizionin A 1, që nga data 13 dhjetor 2007. Për sqarimin e kësaj ankese, në datën 17.01.2008, nga ana e ERE-s u zhvillua një seancë dëgjimore me përfaqësues të Shoqërisë Mediatike "Ballkan Sh.a" dhe KESH sh.a. Nga administrimi i fakteve dhe provave shkresore të paraqitur në këtë seancë nga ana e të dy subjekteve, palë në këtë mosmarrëveshje, si dhe të dokumentacionit shtesë që iu kërkua palëve nga përfaqësuesit e ERE-s gjatë kësaj seance, konstatojmë se: 1- Faturimi i bërë nga ana e KESH-it në zërin aforfe të faturës, është i pabazuar, pasi faturim aforfe për abonentët jofamiljarë, në bazë të Vendimit të Bordit të Komisionerëve të ERE-s, Nr.49, Datë 21.10.2004, "Për miratimin e mënyrës së faturimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe jofamiljarë me matësajashtë kushtit teknik", do të lejohet vetëm në rastet kur konstatohet se matësi është jashtë kushtit teknik ose i dëmtuar. 2- Përsa i takon pasaktësisë në matje të energjisë elektrike të konstatuar gjatë kontrollit të Divizionit të Shpërndarjes të KESH-it, në pajisjet e matjes së Televizionit TV Ballkan, të cilat në përputhje me nenin 51 të Ligjit 9072, Datë 22.05.2003 "Për sektorin e energjisë elektrike" janë përgjegjësi e Furnizuesit, vërejmë se nga ana e KESH-it, nuk është vepruar nëpërputhje me Kodin e Matjes, pika 9.1 (ii), ku përcaktohet se në rastet kur konsumatori ka paguar më pak për shkak të gabimit në matje, atëherë ai detyrohet të paguajë vlerën e mbetur për 12 muajt e fundit. 3- Gjithashtu vërejmë se po në pikën 9.1, të Kodit të Matjes, përcaktohet edhe mënyra e shlyerjes së kësaj vlere, e cila do të jetë ose me korrigjim për faturën e ardhshme mujore deri në shlyerjen e plotë të gabimit të konstatuar, ose si pagesë e shumës totale brenda 45 ditëve të konfirmimit të matjes së pasaktë, duke rënë dakord të dy palët për shlyerje me këste ose totalisht njëherësh. Në këtë rast, duke pasur parasysh vlerën e konsiderueshme të faturës, duhet të ishte negociuar me konsumatorin për mënyrën e shlyerjes së saj. Nisur nga sa më sipër, duke konstatuar mosplotësimin nga ana e KESH-it të kërkesave të përcaktuara në nenet 2, 4, 3 dhe 9, të Kodit të Matjes, të miratuar me Vendimin Nr.18. Datë 29.03.2005 të Bordit të Komisionerëve të ERE-s, kërkojmë nga ana juaj: 1-Rilidhjen e furnizimit me energji elektrike të Televizionit A1 2-Rregullimet për pasaktësinë në aparatin e matjes së energjisë 3- KESH Sh.a., dhe Shoqëria Mediatike Ballkan Sh.a., të bien dakord për mënyrën e shlyerjes së kësaj vlere. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin Kryetari i ERE-s Bujar Nepravishta Situatë dramatike e lirisë së mediave Si është historia e faturës afrofe dhe ndërprerjes së energjisë elektrike? Në muajin Maj, punonjësit e KESH na lajmëruan se pas disa matjeve që kishin bërë në transformatorët e tyre, e kanë faturuar gabimisht më pak energjinë e A1 Televizion dhe për këtë arsye do të faturonin edhe njëherë sa kishin faturuar që nga lidhja e kontratës në vitin 2002. U ulëm të bisedonim me ta NË QERSHOR 2007 dhe ram dakord që ky ishte një vendim i njëanshëm dhe që të ishte Gjykata e Tiranës, institucioni që të zgjidhte pretendimet e KESH. Pas kësaj KESH rilidhi energjinë të cilën e kishte ndërprerë 24 orë më parë. Në datën 13 dhjetor, pasi gazeta "Shekulli" kishte botuar një shkrim i cili kritikonte KESH pse shiste energji jashtë ndërkohë që në vend kishte kufizime, punonjësit e KESH u paraqitën dhe rindërprenë energjinë pavarësisht procesit gjyqësor ku ishin zhvilluar dy seanca dhe pavarësisht se ne kishim paguar normalisht energjinë që ata faturonin sipas leximit të matësit. Si e komentoni vendimin e ERE-s për rilidhjen e energjisë elektrike? I logjikshëm. Në këto ditë ndërprerje ne kemi harxhuar 60 litra karburant në orë ose gati 70.000 euro karburant dhe na është prishur një gjenerator 250 KVA, i cili ka kushtuar mbi 70.000 euro. Ndërsa për pjesën e vendimit ku na kërkohet të negociojmë për të paguar me këste energjinë e faturuar gabimisht më pak në 12 muajt e fundit, ne ndonëse do ta paguajmë vlerën e rritur pasi KESH të na dërgojë faturën do vazhdojmë ta ankimojmë në gjykatë, pasi nuk kemi asnjë besim se ajo që . thotë KESH, se kanë faturuar më pak, është e vërtetë. Për më tepër kemi procesverbale të ndryshme, ku KESH ka kontrolluar matësat dhe nuk ka konstatuar asnjë gabim. Ku e bazoni ju kundërshtimin tuaj rreth pretendimeve të KESH-it? Shikoni arsyetimin e vendimit të ERE-s se sa shkelje ligjesh ka bërë KESH në këtë vendim. KESH deklaroi se nga një korriku i vitit 2007 e këtej korrigjoi koeficientin e transformimit të matësit elektrik duke e shumëzuar me dy, që do të thotë se konsumi i energjisë së A1(duke mbajtur parasysh edhe rritjen e aktivitetit tonë sivjet) nga një korriku e këtej do të duhej të ishte dy deri në tre herë më i lartë se në vitet e shkuara. Kjo gjë nuk vërtetohet nga faturat që lëshoi KESH nga korriku deri në dhjetor të vitit 2007. Ka muaj të cilët kanë pasur konsum më të lartë në vitin 2006 në krahasim me vitin 2007, pavarësisht se në vitin 2007 aktiviteti i TV ka qenë nërritje të vazhdueshme. Në muajin Shtator ne kemi paguar 3,960 lekë më pak se në shtator 2006, ndërkohë që në tetor kemi paguar 3,080 lekë më shumë. Këto shifra hedhin poshtë në mënyrë të qartë pretendimin e KESH se në 2006 e në të shkuarën, matësat e KESh kanë regjistruar vetëm gjysmën e energjisë faktike të shpenzuar. Mos jeni pak paragjykuese për dejtuesit e KESH-it? E kuptoj ngacmimin tuaj. Po në në të vërtetë ne i i paragjykojmë ato që thonëdretuesit e KESH-it. Edhe faturat e KESH për të qenë të sinqertë stafet tona nuk i besojnë si serioze. Është një mardhënie e thyer sigurisht. Jo për fajin tonë. Janë disa sjellje arrogante që as nuk mund të kuptohen në botën e biznesit në marrëdhëniet klient- furnitor. Pastaj u bënë disa raste që manifestohet e njëjta arrogancë e panjohur dhe e pakonceptuieshme në botën e biznesit dhe as në raportet qytetere. Sidoqoftë nuk janë paragjykimet tona ato që kanë ndërprerë energjinë pranë ndërrmarrjeve tona, as tek "Shekulli" as tek Televizioni A1 dhe as tek nderrmarrjet e tjera të 2K Grupit. T'u ndërpresësh energjinë ndërrmarjeve që paguajnë, të hedhësh punonjësit në rrugë, dhe të mbyllësh redaksitë janë pak si shumë për të qëndruar jashtë kuadratit. Çdo të bëhet me Televizionin A1 nëse KESH vazhdon të refuzojë vendimin e Bordit të EREs? Televizioni A1 nuk do të transmetojë më derisa të vijë energjia elektrike. Deri tani ne përgjithësisht kemi duruar. Të gjitha aktet e rënda dhe cenimet thelbësore të lirive tona ekonomike e të shprehjes i kemi përcjellë me qetësi, duke mos dashur të tërheqim vëmendjen e opinionit dhe të mediumeve tona, nga problematikat e mprehta dhe hallete mëdha që ka shoqëria shqiptare. Ne do të sensibilizojmë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, për të gjitha goditjet e rënda që organet qeveritare kanë drejtuar mbi ne, me qëllim që të vënë nën kontrollin e qeverisë politikat editoriale të redaksive tona. Ne kemi vlerësuar gjatë gjithë kësaj kohe, interesimet pozitive të shumë institucioneve e personaliteteve të cilët janë përpjekur të ndikojnë për të reduktuar presionet e mëdha të Qeverisë mbi grupin tonë. Në këtë linjë do të doja të falënderoja veçanërisht Presidentin e Republikës, i cili i ka kërkuar shpjegime nga të gjitha strukturat shtetërore që kanë lidhje me këto çështje, Organizatat prestigjioze "Reporterët pa Kufij" dhe Organizata Botërore e Gazetave UAN që janë duke vepruar energjikisht për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar, të gjithë ata gazetarë e personalitete të cilët përmes artikujve apo komunikimeve të tyre kanë shprehur shqetësimin për çka ndodh në televizionin tonë si dhe deputetët dhe liderin e opozitës, Edi Rama, që kanë ngritur zërin për këtë çështje. Në mbyllje të kësaj përgjigje, dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këto situata në të cilat ndodhet liria e mediave në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›