E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Opozita, aksion për të ngritur një sistem

Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, reagoi dje për deklaratën e deputetit të PS-së, Ben Blushi, se kjo parti po del jashtë sistemit me vendimin për bojkot. Në komunikim me mediat, që pati pas mbarimit të Asamblesë Kombëtare, Ruçi tha se nuk ka dalë opozita jashtë sistemit. "Opozita ka aksionin e saj politik për të ngritur një sistem, ku vota të jetë e lirë dhe demokratike, ku fjala të jetë e lirë, ku institucionet të jenë të pavarura, ku e drejta e pronës dhe punës të jenë vërtet të siguruara dhe ku lufta ndaj krimit dhe korrupsionit të jetë reale. Këto janë pjesë e aksionit të opozitës", tha ai. Sipas tij, axhenda u pasurua me gjithë ato probleme që progres-raporti ka për Shqipërinë dhe që nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor, sepse ato që kërkon opozita shqiptare, i kërkon edhe progres-raporti. "Nëse progres-raporti thotë që standardet e zgjedhjeve nuk i realizuam, ne kemi thënë se zgjedhjet u deformuan, kështu që opozita është në rrugën e saj si opozitë. Meqenëse opozita shqiptare ka si parime të saj lirinë e votës, lirinë e fjalës, lirinë e punës, luftën ndaj korrupsionit, luftën kundër krimit, pavarësinë e organeve kushtetuese të vendit tonë, pikërisht këto janë kushtet apo kërkesat që janë bërë pjesë e aksionit politik të opozitës shqiptare", vijoi Ruçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›