E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, aksioni politik për tre muajt e ardhshëm

Partia Socialiste miratoi dje aksionin e saj politik në tre muajt e ardhshëm. Synimi kryesor i socialistëve është transparenca e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit dhe vijimi i protestave. Me propozim të anëtarëve të AK-së, pjesë e aksionit politik u bënë edhe problemet e vërejtura në progres-raport. Ky draft parashikon organizimin dhe realizimin e një veprimi aktiv opozitar politik, si dhe thellimin e reformimit programor, institucional dhe organizativ të PSSH-së.

Aksionet kryesore politike dhe organizative do të fokusohen te nismat ligjore në mbështetje të aksionit politik për transparencë të procesit zgjedhor, reagimin institucional, ligjor e administrativ ndaj shkeljeve të evidentuara.

Parashikohet reflektimi i veprimeve dhe masave ligjore institucionale e organizative për implementimin e kushteve politike të PSSH-së. Po kështu parashikohet edhe nxitja e aksionit dhe veprimit politik qytetar përmes protestave demokratike në Tiranë dhe në qarqe.

PS ka menduar edhe se si mund ta realizojë aksionin e ri opozitar. Së pari mendohet organizimi strukturor dhe institucional i grupit parlamentar të PS-së, duke bërë ndryshime në rregullore. Opozita do të jetë aktive në debatet politike, duke i bërë oponencë qeverisë dhe programit të saj, si dhe premtimeve elektorale. Veç kësaj, në tre muajt në vijim, PS do të zhvillojë procesin zgjedhor në organizatat socialiste. Procesi zgjedhor në organizatat socialiste brenda vendit nis në datën 20 tetor dhe përfundon në muajin dhjetor, ndërsa procesi zgjedhor në organizatat socialiste jashtë vendit nis në muajin nëntor dhe përfundon në muajin janar. Detyra bazë e këtyre zgjedhjeve është edhe evidentimi i plotë i anëtarësisë efektive të organizatave socialiste, duke siguruar bazën e të dhënave të kërkuara dhe krijimin e regjistrit të anëtarësisë dhe strukturave mbështetëse për çdo njësi vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›