E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Presim reflektimin e Presidentit

Kryeministri Berisha u ka kërkuar deputetëve të tij të tregohen të duruar lidhur me dekretet e Presidentit për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha ka pranuar dështimin e negociatave mes Patozit dhe Topit, duke shpresuar në reflektimin e Presidentit lidhur me tërheqjen e emrave të propozuar deri tani nga ai për Gjykatën e Lartë. E vetmja fjali e Kryeministrit Berisha lidhur me këtë çështje ka qenë "Presim reflektimin e Presidentit, i cili duhet të bashkëpunojë me Kuvendin për dekrete të rëndësishme". Megjithëse negociatat dështuan, Kryeministri nuk e ka informuar grupin demokrat nëse dekretet e Topit do të kalojnë në mënyrë urgjente në Kuvend. Do të jetë Komisioni i Ligjeve që do të marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit, pavarësisht se Kryeministri nuk ka përcaktuar një afat për këtë gjë. Partia Demokratike "ngrin" përkohësisht kalimin e dekreteve të Topit për Gjykatën e Lartë në Kuvend, ndërkohë që bën me dije në grupin e PD-së se të enjten do të kalojë për rivotim në Kuvend ligji i legalizimeve. Përplasja Presidencë-Parlament për Gjykatën e Lartë, duket se i ka rrënjët e thella. Sipas rregullores, institucioni i Gjykatës së Lartë ka të drejtë të ketë 17 anëtarë, ndërkohë që prej dy vjetësh, ky institucion është drejtuar nga më pak anëtarë seç e përcakton rregullorja. Aktualisht, vetëm 10 gjyqtarë figurojnë në drejtimin e këtij institucioni, çka e ka detyruar kreun e shtetit t‘i kërkojë Parlamentit të përshpejtojë procedurat për të dekretuar emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Me firmën e Kryetares së Kuvendit, dekretet e Presidentit duhet të paraqiten në Komisionin e Ligjeve për t‘i shqyrtuar nga ana ligjore dhe më pas ata kalohen për votim në sallën e Kuvendit. Sipas rregullores, për procedura të tilla nuk është e nevojshme mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për të caktuar ditën se kur ata duhet të futen në seancë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›