E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: “Shpallja e rezultatit nga KQZ-ja, provokim i rëndë i Berishës”

Deputeti socialist: “Deklarata e KQZ-së, shkelje e rëndë e Kushtetutës”. Ruçi: “Berisha të tërhiqet, ndryshe do të përballet me protesta!”

Shaban Sulçe
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, i cili, duke shpallur rezultatet paraprake, ka deklaruar se koalicioni “Aleanca e ndryshimit” ka fituar 71 mandate. Ruçi jo vetëm që ka kundërshtuar vërtetësinë e kësaj deklarate, por e ka cilësuar atë si një provokim të rëndë të kryeministrit Berisha. Deputeti socialist e akuzoi kreun e KQZ-së se po keqpërdoret nga Berisha, i cili, sipas tij, po synon të fitojë një mandat që nuk i takon. Sipas Ruçit, deklarata e KQZ-së për shpalljen e numrit të mandateve është një shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor, ndërkohë që, sipas tij, mandatet janë në kutitë e votimit. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste paralajmëroi kryeministrin Berisha që të tërhiqet nga planet e tij për grabitjen e mandateve, ndryshe do të përballej me protestat popullore.

KQZ

Sipas kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka aspak të drejtë që të shpallë rezultatet paraprake për numrin e mandateve. Për më tepër, sipas tij, mandatet janë në kutitë e votimit, të cilat ende nuk janë numëruar. Ruçi tha se kjo deklaratë e KQZ-së është një shkelje e rëndë e Kodit Zgjedhor dhe e Kushtetutës. Sipas tij, kjo deklaratë është një shkelje e hapur e Kushtetutës dhe e Kodit, në zbatim të një urdhri politik dhe etheve të kryeministrit në detyrë për të vjedhur një mandat më shumë. Ai theksoi se kreu i KQZ-së po komandohet prej Berishës, i cili provokoi rëndë shqiptarët me këtë deklaratë. “Sali Berisha provokoi edhe njëherë tjetër një popull të tërë dhe për shkak të tij dhe vetëm të tij, degjenerimit dhe kërcënimit të procesit zgjedhor, ky popull nuk di akoma rezultatin e zgjedhjeve. Duke nxjerrë kukullën e tij që ka në krye të KQZ-së, për të shpallur rezultate paraprake, Berisha vazhdon të shkelë standardet e zgjedhjeve me anë të përpjekjeve të tij të dëshpëruara për të marrë mandatin e kryeministrit, që nuk ia dha populli. Asnjë rezultat paraprak nuk i jep një mandat të dytë Berishës, sikundër deklaroi kukulla e tij në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Kryeministri në detyrë ka vetëm 70 mandate”, - tha Ruçi. Sipas tij, nuk mund të flitet ende për rezultatin e zgjedhjeve, pasi ende mbetet për t’u parë verdikti zgjedhor në qarkun e Beratit dhe në qarkun e Tiranës, si dhe në zona të tjera të vendit. Ruçi theksoi se Partia Socialiste ka të gjitha faktet, të cilat vërtetojnë se ajo dhe koalicioni i saj ka fituar mandatin e pestë në qarkun e Beratit.

Paralajmërimi

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, bëri një paralajmërim të drejtpërdrejtë në drejtim të Berishës. Ruçi theksoi se Berisha duhet të heqë dorë nga imponimi që po i bën popullit shqiptar për të qenë sërish kryeministër. Ai paralajmëroi Berishën se nëse nuk heq dorë nga të tilla metoda do të përballet edhe me protesta popullore. “Në emër të Partisë Socialiste i bëj apel Berishës. Hiq dorë nga ideja se mund t’i imponohesh popullit shqiptar, si kryeministër, duke organizuar horra, nga ata që ke nxjerrë nga burgu për të manipuluar votat apo duke nxjerrë në podiume kryetarin karagjoz të KQZ-së për të shpallur rezultate paraprake. Unë i them Sali Berishës të mos e marrë qetësinë dhe durimin e forcës më të madhe të opozitës për dobësi. Ne vërtet jemi këtu për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë në këtë proces zgjedhor, por njëherësh jemi të vendosur të mbrojmë votat e shqiptarëve që kanë futur në kutitë e votimit. Sali Berisha të tërhiqet urgjentisht, ndryshe ai do të ballafaqohet me të gjitha mjetet demokratike të një shteti demokratik”, - tha kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Rezultatet e deklaruara dje sipas KQZ-së

Koalicioni “Aleanca e ndryshimit” 71 mandate
Koalicioni “Bashkimi për ndryshim” 65 mandate
Koalicioni “Aleanca socialiste për integrim” 4 mandate

Mandatet sipas partive

Partia Demokratike 68 mandate
Partia për Drejtësi dhe Integrim 2 mandate
Partia Republikane 1 mandat

Partia Socialiste 64 mandate
PBDNJ 1 mandat

Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›