Ruçi-Topallit: Po na mbani peng mandatin e një deputeti
Seanca e sotme në Kuvend është shoqëruar me replika mes kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, dhe kryeparlamentares Topalli.
Gjatë fjalës së tij, Ruçi ka akuzuar Topallin se po mban peng mandatin enjë deputeti të PS-së, i mbetur vakant pas largimit të deputetes Rudina Seseri. Po mbani peng një vend vakant, pa asnjë arsye, dhe në kundërshtim me kodin, rregulloren dhe Kushtetutën, është shprehur Ruçi.
Ndërsa sipas Topallit, mbetja vakant e vendit të Sesrit ka ardhur si pasojë e pamundësisë për të mbledhur kuorumin e nevojshëm në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, pasi deputetët kanë qenë të angazhuar në komisionet parlamentare. Ajo e ka cilësuar rastin e Seserit si unik, për shkak të mospjesëmarrjes në seancat e Kuvendit.
Tërheqja e Seserit nga mandati është rasti më unik. Një deputet që për dy vite nuk vjen në parlament, asnjë tjetër nuk kam parë të vijë për të votuar vetëm në fund të 6-mujorit. Zoti Ruçi, që të jemi të ndershëm, kam thirrë Këshillin e Rregullores për të shqyrtuar kërkesën e KQZ-së.
Por përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës ishin të impenjuar në komisionet parlamentare, në një punë shumë të rëndësishme. Në kalendar kanë përsëri ligjin për gjykatën administrative, ndaj më thoni orarin kur të mbledhim këshillin e rregullores, tha Topalli. / G.N.