Ruçi: Vrasja e Xhindit është politike
Gjashtë muaj pas vdekjes së deputetit Fatmir Xhindi, Partia Socialiste artikuloi për herë të parë në mënyrë zyrtare se vrasja ishte politike. Nën zë, por edhe në deklarata personale të disa deputetëve të PS-së, është pohuar më parë se bëhet fjalë për një vrasje politike, nisur nga rrethanat dhe koha kur kjo ndodhi, por zyrtarisht asnjë prej krerëve të kësaj partie nuk e ka artikuluar deri dje se bëhet fjalë për një vrasje politike. Pista e një vrasjeje për shkak të detyrës që Fatmir Xhindi kryente, është hetuar nga prokuroria, por sipas deklarimeve të organit të akuzës, nuk ka prova që tregojnë një mundësi të tillë. Duket se ajo çfarë i ka bindur socialistët se bëhet fjalë për vrasje me të tilla motive, është heshtja e gjatë e shtetit për të mos mundur të zbardhë emrin e vrasësit të ish-deputetit. Numri dy i selisë rozë, Gramoz Ruçi, në një komunikim me mediat tha se mungesa e përgjigjeve dhe indiferenca e policisë janë prova për motivet e vrasjes. "Përgjigjet pa përgjigje të pushtetit të Sali Berishës deri më sot kanë hedhur në tavolinë të organeve kompetente të gjitha pistat e mundshme. Po sipas verdiktit të tyre, asnjë nuk qëndrojn. Aktualisht ka mbetur vetëm një pistë: Fatmir Xhindi është vrarë vetëm për arsye politike. Pistë që nuk është hedhur para organeve kompetente. Këtë pistë nuk mund ta hedhë pushteti i Sali Berishës", tha Ruçi. Plot gjashtë muaj pas vrasjes së tij, shteti nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje, ndaj si familja e tij, ashtu edhe Partia Socialiste shtrojnë pyetjen se kush e vrau deputetin e PS-së. "Partia Socialiste, sot e 6 muaj pyet: Pse u vra përfaqësuesi i saj në prag të shtëpisë dhe në prag të fushatës elektorale?! Pse sot e 6 muaj kjo vrasje e këtij politikani nuk ka autor?! Është pista politike, sepse pas 6 muajsh pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, veprimet hetimore rezultojnë tërësisht të stopuara. Është pista politike, pasi Policia e Shtetit nuk është duke kryer asnjë veprim hetimor për zbulimin e autorëve dhe gjetjen e provave", insistoi Ruçi. Duke marrë në analizë faktet dhe të gjitha ecuritë e hetimit në muajt pas vrasjes, Ruçi tha se vendi dhe rrethanat e tjera të kryerjes së krimit, si dhe cilësitë e posaçme të ngjarjes, dëshmojnë se zbulimi i këtij krimi nuk përbën për specialistët një rast pa zgjidhje, veçse të konsiderohet vrasje politike. Ndër të tjera, Ruçi përmendi edhe detyrimet e Policisë së Shtetit. Sipas tij, ligji i ka përcaktuar detyrimet konkrete të Policisë së Shtetit përmes strukturave të posaçme të ngritura prej saj, të cilat kanë për detyrë të kryejnë veprime për zbulimin e çdo lloj ngjarjeje kriminale, aq më tepër për një ngjarje të tillë me sfond politik.
"Është politike, sepse Policia e Shtetit me qëllim u është larguar detyrave të caktuara nga ligji për zbatimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje. Rasti i hetimeve për vrasjen e deputetit tregon qartë se policia nuk dëshiron ta zbardhë këtë krim, fakt që provon natyrën politike të këtij krimi", vijoi deputeti socialist. Ruçi u shpreh se segmente të larta të shtetit, të politizuara deri në palcë, në vend që të kryejnë veprimet e tyre kushtetuese në mbrojtje të rendit publik, të jetës dhe të pronës së shtetasve, provokojnë konflikte të pashembullta me agjencitë e tjera ligjzbatuese.